Miq, kolegë dhe mbështetës të politikanit të vrarë të opozitës ruse, Boris Nemtsov, shënojnë sot përvjetorin e tretë të vrasjes së tij.
Politikani opozitar, Ilya Yashing, tha se një ceremoni do të mbahet në Qendrën Sakharov të Moskës, ku do të shfaqet një ekspozitë me fotografi të Nemtsovit të bëra në periudha të ndryshme të jetës së tij.
Më 25 shkurt, mijëra njerëz kanë marshuar në Moskë dhe qytete të tjera të Rusisë për të kujtuar Nemtsovin, kritik i zëshëm i presidentit rus, Vladimir Putin.
Ai është vrarë më 27 shkurt të vitit 2015, pranë ndërtesës së Kremlinit në Moskë.
Në korrik të vitit të kaluar, një gjykatë në Moskë ka shpallur fajtorë për vrasjen pesë burra nga rajoni i Çeçenisë dhe i ka dënuar ata me burgime të gjata.
Por, të afërmit dhe bashkëpunëtorët e Nemtsovit thonë se vrasja e tij është urdhëruar nga nivele më të larta.
Ata thonë se nuk do të ketë drejtësi derisa njeriu ose njerëzit që e kanë urdhëruar vrasjen nuk identifikohen dhe ndiqen penalisht.