Delegacionet nga Kosova dhe Serbia po zhvillojnë sot në Bruksel takimin e radhës, me lehtësimin e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian.
Përmes rrjetit social facebook, kryesuesi i palës nga Kosova, Avni Arifi ka prezantuar delegacionin nga Prishtina.
Dialogu, në nivelin teknik, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishte ndërprerë më 16 janar, nga delegacioni i Serbisë, pas vrasjes, në rrethana ende të pasqaruara, të njërit prej përfaqësuesve politik të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq.
Siç është paralajmëruar, në këtë takim, delegacionet e të dyja vendeve do të diskutojnë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, ka nisur në vitin 2011, fillimisht si dialog për çështje teknike, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Që nga ajo kohë janë arritur një numër i konsiderueshme i marrëveshjeve, por disa nga to ende nuk janë zbatuar.
Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë zhvillohen edhe në nivelin politik, qoftë në nivel të kryeministrave apo presidentëve.