Ndërlidhjet

Seria turke që “dëmton” vlerat e Islamit


Uzbekistan - foto arkivi
Uzbekistan - foto arkivi

“Dashuria e pafund” mund të duket një seri e padëmshme televizive për miliona shikues në më shumë se 70 vende.

Por, në Uzbekistan, ku feja është kontrolluar me dekada nga shërbimet e sigurimit të shtetit, nën maskën e luftimit të ekstremizmit islamik, kundërthëniet rreth serisë turke sinjalizojnë një kthesë të pashembullt të ngjarjeve.

Qeveria e Uzbekistanit ka ndjekur thirrjet edhe të islamistëve radikalë, edhe të myslimanëve të moderuar për ta ndaluar serinë.

Ky zhvillim ka qenë i paimagjinueshëm përpara vdekjes së ish-presidentit uzbek, Islam Karimov, më 2016. Karimov e ka mbajtur Uzbekistanin nën frena të ngushtë qysh në vitin 1989 dhe ka qenë shumë dyshues ndaj myslimanëve të devotshëm.

Por, një vit e gjysmë pas vdekjes së tij, ndalimi i “Dashurisë së pafund” tregon se presidenti i ri, Shavkat Mirziyaev, po merr një qasje te re ndaj Islamit.

Presidenti i Uzbekistanit, Shavkat Mirziyaev.
Presidenti i Uzbekistanit, Shavkat Mirziyaev.

Annette Bohr, analiste në Institutin Chatham të Londrës, thotë se ndalimi i serisë është përpjekje e Mirziyoevit “për të përmirësuar rolin e Islamit të moderuar”.

“Dashuria e pafund” ka të bëjë me një grua që u kundërvihet përpjekjeve të prindërve për të aranzhuar martesën e saj me një biznesmen të pasur. Në vend të kësaj, ajo zgjedh lidhjen romantike me burrin që do – djalin e një berberi të varfër.

Përveç triumfit të dashurisë mbi martesën e aranzhuar, seria flet edhe për seksin jashtë martesës, shkelje të kurorës, shtatzëni të padëshiruar, xhelozi, vrasje, shantazh.

E prodhuar në vitin 2015 në Stamboll, seria ka fituar çmimin ndërkombëtar Emmy dhe është përkthyer dhe dubluar në mbi 50 gjuhë – përfshirë persishten dhe arabishten.

Ajo ka vlerësime të larta në Iran, Afganistan, Azerbajxhan, Amerikën Latine dhe në vendet e Ballkanit po ashtu: Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi.

Por, në Uzbekistan, ku quhet Sevgi Iztirobi, ose Tragjedia e Dashurisë, seria, sipas disave, u ka treguar myslimanëve rrugë të gabuara prejse ka nisur të transmetohet në gusht të vitit 2017.

Ueb-faqja radikale islamiste Azon.uz ka publikuar pesë artikuj në muajin shkurt në përpjekje për të ndaluar serinë, duke thënë se shikuesit e saj “kryejnë mëkate me sytë e tyre”, ndërsa dubluesit e saj në gjuhën uzbeke janë “haram”, apo të ndaluar me Kuran.

“Kemi një zgjedhje para nesh: ose të braktisim fenë, ose të jetojmë sipas rregullave të Allahut”, ka thënë autori i këtyre artikujve, Said Islam.

Annette Bohr, nga Instituti Chatham, thotë se edhe imamët e moderuar e kanë kritikuar “Dashurinë e pafund”, duke e cilësuar si “argëtim nën ndikimin e Perëndimit”.

"Nuk janë vetëm islamistët (radikalë) në Uzbekistan që kanë probleme me atë seri televizive", thekson Bohr, duke iu referuar edhe udhëheqësve të Islamit të moderuar nga Drejtoria Shpirtërore Myslimane.

Më 14 shkurt, gazeta Qalampir e Uzbekistanit ka raportuar se kryeministri uzbek, Abdullah Aripov, ka urdhëruar autoritetet të hetojnë natyrën e serisë, për të siguruar se ajo nuk e kërcënon rolin e familjes në shoqërinë uzbeke.

Në fund të asaj jave, transmetimi dy herë në ditë i serisë nga kanali privat Zo’r TV është ndërprerë.

Presidenti Mirziyaev ka premtuar vazhdimisht se do t’i ndryshojë politikat shtypëse të Karimovit dhe se do ta vë qeverinë e tij, siç ka thënë ai, "në shërbim" të popullit uzbek.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG