Ndërlidhjet

Haradinaj konfirmon marrëveshjen me LDK-në për demarkacionin


Ramush Haradinaj
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka konfirmuar dakordimin e tij me versionin e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës për votimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Haradinaj, është pajtuar që raporti i Komisionit shtetëror për kufirin, të jetë vetëm informues dhe jo pjesë e pakos së Projektligjit për demarkacionin i cili, me gjasë, pritet të votohet të mërkurën. Krahas Projektligjit për demarkacionin, deputetët do të votojnë edhe për Deklaratën e nënshkruar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, përmes së cilës të dy presidentët zotohen për korrigjimin e gabimeve eventuale gjatë demarkacionit të kufirit mes dyja shteteve.

“Unë kam bërë një lëvizje politike, sipas kërkesës së LDK-së, duke u dhënë mundësi deputetëve që të ecin përpara me marrëveshjen”, ka thënë Haradinaj.

Këto komente, Haradinaj i bëri gjatë një konference të jashtëzakonshme për media, pasi që paraprakisht partitë politike në koalicionin qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën dhe partia opozitare Lidhja Demokratike Kosovës, kanë arritur një konsensus për votimin e demarkacionit.

"Kemi një ndryshim substancial. Kemi dakordim me LDK-në dhe pas kësaj besoj se janë krijuar mundësitë për ratifikimin e marrëveshjes”, tha Haradinaj.

Në një përllogaritje të thjeshtë, nëse PDK, AAK, Nisma dhe LDK bashkë me pakicat jo serbe në Kuvend e votojnë marrëveshjen, megjithatë nuk sigurohen ende 80 votat e kërkuara. Të gjitha këto subjekte së bashku kanë 78 vota gjithsej. Andaj, ratifikimi i Demarkacionit mbetet ende i varur edhe nga 2 – 3 vota që duhet të sigurohen nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe.

Megjithatë, deri në këtë fazë, Haradinaj ka konfirmuar po ashtu se nuk ka marrëveshje që garanton votat nga Lista Serbe, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës.

“Ende nuk kemi konsensus me Listën Serbe, nuk e di a do të arrihet”, tha Haradinaj.

Komisioni Evropian e ka bërë të qartë se pa ratifikimin e demarkacionit, Kosova nuk do të mund të përfshihet në zonën e lëvizjes së lirë, brenda BE-së, pa viza.

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Si e tillë, kjo marrëveshje ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi, por jo edhe nga ai i Kosovës.

Afati i fundit për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, në mënyrë që Kosova të përfshihet në agjenën për liberalizimin e vizave, mbetet 28 shkurti, kur edhe është caktuar vazhdimi i seancës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG