Avokati, Alex der Zwaan, ka pranuar fajësinë për deklarata të rrejshme dhënë agjentëve federalë të zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara, lidhur me hetimet e këshilltarit special, Robert Mueller, që po heton ndonjë bashkëpunim të mundshëm në mes të zyrtarëve rusë dhe ndihmësve të presidentit amerikan, Donald Trump.
Alex van der Zwaan, vjehrri i të cilit është miliarderi, German Khan, ka bërë deklaratën për fajësi më 20 shkurt, në një gjykatë në Uashington.
Ai është personi i gjashtë që pranon fajësinë apo është paditur nga ekipi i Muellerit.
Ai është akuzuar se ka gënjyer hetuesit lidhur me komunikimet që ka pasur me ish-ndihmësin e fushatës së Trumpit, Rick Gates.
Edhe Gates është paditur vitin e kaluar për komplot dhe pastrim parash.
Një dokument i gjykatës më 16 shkurt, ka njoftuar se van der Zwaan, ka asgjësuar disa emaile, që i ka kërkuar ekipi i Muellerit.
Në kërkimet e Muellerit, ka shqetësime për punën e van der Zwaan në vitin 2012, në një kompani ligjore amerikane e cila ishte angazhuar nga ministria e Drejtësisë në Ukrainë, lidhur me gjykimin e ish-kryeministres, Yulia Tymoshenko.
Akuzat nuk përmendin fushatën presidenciale të Trumpit, në të cilën kanë punuar edhe Gates edhe shefi i tij, Paul Manafort.
Mirëpo pranimi i fajësisë nga ana e van der Zwaan, mund të rrisë presionin për Gates dhe Manafort që të bashkëpunojnë me ekipin e Muellerit.
Ende nuk është identifikuar kompania ligjore për të cilën ka punuar avokati, van der Zwaan.