Tensionet në mes të Rusisë dhe Perëndimit kanë qenë në qendër të vëmendjes në ditën e dytë të Konferencës për Siguri në Mynih.
Lufta në lindje të Ukrainës dhe supozimet, se Moska ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së më 2016, kanë qenë disa nga temat kryesore që janë trajtuar.
Në këtë konferencë janë parë disa shenja të vogla të përparimit në çështjen e krijimit të një forceje në kuadër të Kombeve të Bashkuara në lindje të Ukrainës, derisa të dërguarit e Rusisë dhe SHBA-së, kanë pasur deklarata të ashpra, pas padive të fundit të Uashingtonit kundër rusëve, që supozohet se kanë ndërhyrë në zgjedhjet amerikane.
Në të njëjtën kohë, janë anuluar bisedimet sipas Formatit të Normandisë, në të cilin ishin parashikuar të merrnin pjesë Gjermania, Franca, Ukraina dhe Rusia, me qëllim të gjetjes së një zgjidhje për përfundimin e konfliktit të lindje të Ukrainës, mes forcave të Kievit dhe separatisëve pro-rusë.
Në fjalimin e tij në ditën e dytë të konferëncës, ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, ka thënë se një mision paqeruajtës i OKB-së do të ndihmonte në heqjen “hap pas hapi” të sanksioneve kundër Rusisë, për ndikimin e saj në Ukrainë.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë ndëshkuar Rusinë disa herë me sanksione, për shkak të rolit të saj në këtë konflikt si dhe për aneksimin e Krimesë nga Ukraina.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Pavlo Klimkin, ka deklaruar se ai dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje për çështjen e paqeruajtësve gjatë një takimi në Mynih.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stolenberg, u ka thënë gazetarëve më 17 shkurt, se ka diskutuar për një mision të tillë të OKB-së, gjatë takimit që ka pasur me ministrin Lavrov.
“Duket të jetë e pamundshme”, ka thënë ai.
“Situata në Ukrainë është arsyeja krysore për përkeqësim të marrëdhënieve në mes të Rusisë dhe NATO-s, si dhe faktori kyç pse NATO-ja ka miratuar qëndrimin e saj ushtarak në pjesën lindore të aleancës” ka thënë Stoltenberg.
Ministri gjerman, Gabriel ka thënë se, “të gjitha opsionet” duket të shqyrtohen për t’i dhënë fund konfliktit në të cilin kanë vdekur 10,300 persona nga prilli i vitit 2014.
“Gjepura” dhe “Të padiskutueshme”
Në fjalimin e tij në konferencë, Lavrov ka drejtuar një varg ankesash të Rusisë ndaj Perëndimit, duke përfshirë atë që e ka cilësuar si ndihmë të Bashkimit Evropian në “grushtshtetin” kundër ish-presidentit ukrainas, Viktor Yanukovych,
Yanukovych, aleat i Kremlinit, është larguar nga Ukraina më 2014, pas disa muajsh protesta në rrugë kundër tij.
Fjalimi i ministrit Lavrov, ka ndodhur pak kohë pas njoftimit të zyrës së këshilltarit special të SHBA-së, Robert Mueller, lidhur me 13 paditë kundër rusëve dhe tri kompanive po ashtu ruse, për supozimet e ndërhyrjes së zgjedhjet amerikane të vitit 2016 në SHBA.
Lavrov ka thënë se nuk ka komente për paditë, mirëpo të njëjtat, i ka cilësuar “gjepura”, derisa Moska t’i shohë faktet.
Duke folur pas komenteve të Lavrov-it, këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, H.R. McMaster ka thënë, se paditë e FBI-së tregojnë se ndërhyrjet ruse në zgjedhjet amerikane janë, “të padiskutueshme”.
I pyetur nga ligjëvënësi rus, Konstantin Kosachyov, nëse SHBA-ja duhet të nisë një dialog me ekspertët rusë të kibernetikës, McMaster, ka thënë se, “do të isha i befasuar nëse janë të qasshëm ekspertë rusë të kiberetikës, bazuar në faktin, se sa aktivë kanë qenë shumica prej tyre në shkatërrimin e demokracive tona në Perëndim”.
“Përfaqësuesit” iranianë
Irani, Siri, Brexit dhe marrëdhëniet e ardhshme të Britanisë me BE-në kanë qenë po ashtu pjesë e agjendës së ditës së djeshme në Konferencën e Mynihut.
McMaster ka paralajmëruar, se Irani është duke krijuar një rrjet të fuqishëm dhe të armatosur në vendet siç janë Siria, Jemeni dhe Iraku.
“Ajo se çfarë përbën shqetësim për ne është, se ky rrjet i përfaqësuesve është duke rritur kapacitetet, përderisa Irani dërgon më shumë armë shkatërruese në këto qarqe”, ka thënë McMaster në konferencë.
“Kështu që, ne mendojmë se tani është koha të veprojmë kundër Iranit”, ka thënë ai.
McMaster po ashtu ka thënë, se raportet publike, “tregojnë qartë”, se presidenti sirian, Bashar al-Assad ka përdorur vazhdimisht armë kimike.
Qeveria e Assadit i kundërshton këto akuza.
Kryeministrja britanike, Theresa May ka thënë se nuk ka kthim mbrapa në rezultatet e Brexitit.
“Ne jemi duke u larguar nga BE-ja dhe as nuk vihet në dyshim për ndonjë referendum të ri apo kthim mbrapa dhe mendoj se kjo është e rëndësishme”, ka thënë ajo.
Ajo ka bërë thirrje për një marrëveshje urgjente për sigurinë me BE-në, pas përfundimit të procesit të Brexitit, e cila do të përfshinte “në thelb marrëveshjen aktuale”.
“Nuk mund t’i vonojmë diskutimet në këtë çështje”, ka thënë May.
Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka mirëpritur një “aleancë për siguri” me Britaninë, duke thënë se kjo çështje duhet të jetë e ndarë nga “marrëdhënia e ardhshme”, pas largimit të Britanisë nga blloku.