Një juri federale e Shteteve të Bashkuara akuzoi trembëdhjetë rusë për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale në SHBA në vitin 2016.
Njoftimi u bë nga zyra e këshilltarit të posaçëm, Robert Mueller, i cili po heton ndërhyrjen e shtetit rus në zgjedhjet që i ka fituar Donald Trump.
Në aktakuzë gjithashtu emërohen tri kompani ruse.
Është kjo aktakuza më e rëndësishme kriminale që del nga hetimi i Muellerit.
Aktakuza thotë se disa nga të pandehurit përdorën sisteme kompjuterike në SHBA për të fshehur origjinën ruse të aktiviteteve të tyre.
"Të pandehurit, duke u paraqitur si persona amerikanë dhe duke krijuar persona të rremë amerikanë, kanë operuar me faqe të mediave sociale dhe grupe të dizajnuara për të tërhequr audiencat amerikane", thuhet në aktakuzë.
“Të pandehurit dhe bashkëpunëtorët e tyre po ashtu krijuan dhe kontrolluan disa llogari në Twitter dhe u shfaqën si persona ose grupe amerikane që i kontrollojnë ato”, thuhet më tej në aktakuzë.
Sipas së njëjtës, të pandehurit vazhdimisht e kanë matur suksesin e postimeve në internet dhe e kanë përshtatur strategjinë për të maksimizuar efektivitetin.
“Të pandehurit dyshohet se kanë kryer ‘luftë informacioni kundër Shteteve të Bashkuara, me qëllimin e deklaruar të ‘përhapjes së mosbesimit ndaj kandidatëve (presidencialë) dhe sistemit politik në përgjithësi”, tha zëvendësi i prokurorit të përgjithshëm amerikan, Rod Rosenstein, në një konferencë për media në Uashington.
Aktakuza po ashtu thotë se të pandehurit kanë nisur të diskutojnë se si të ndërhyjnë në zgjedhjet në SHBA qysh në vitin 2014.
"Në vitin 2016, të pandehurit dhe bashkëpunëtorët e tyre përdorën personat e tyre fiktivë online për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale", thotë aktakuza.
Individët e paditur përfshijnë Yevgeny Prigozhin, një njeri i njohur si "kuzhinier" për presidentin rus, Vladimir Putin.
Agjencitë e inteligjencës në SHBA kanë thënë se fushata e Donald Trumpit, ka bashkëpunuar fshehurazi me agjentët rusë, të cilët kanë ndërhyrë në zgjedhjet amerikane në favor të zgjedhjes së tij president, përballë rivales demokrate, Hillary Clinton.
Trump mohon çdo keqbërje, ashtu si edhe Kremlini.