Ndërlidhjet

Njohjet mbeten sfidë për Kosovën edhe 10 vjet pas pavarësisë


Dekorimi në Prishtinë në prag të 10-vjetorit të pavarësisë
Dekorimi në Prishtinë në prag të 10-vjetorit të pavarësisë

Njohjet e reja dhe rrumbullakimi i subjektivitetit ndërkombëtar me anëtarësimin në Kombet e Bashkuara, mbeten sfidat kryesore për Kosovën, edhe 10 vjet pas shpalljes së pavarësisë.

Me 115 njohje, Kosova, vlerësohet se ka krijuar tashmë një subjektivitet ndërkombëtar, por të papërmbyllur, përderisa nuk siguron edhe një normalizim të raporteve me Serbinë, nga e cila e ka deklaruar pavarësinë e plotë me mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë më 17 shkurt të vitit 2008. Ky normalizim, besohet se do t’ia hapte Kosovës dyert drejt anëtarësimit të saj në OKB.

Arritjet dhe aspiratat e shtetit të Kosovës, janë diskutuar si temë nga Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, ku ka mbizotëruar pikërisht çështja e njohjes dhe subjektivitetit ndërkombëtar.

Asistent i Presidentit në Këshillin për Tolerancë dhe Paqe, Nabil Ayad, tha se njohjet e reja, mbesin sfidat kryesore për Kosovën.

“Kosova është ballafaquar dhe vazhdon të përballet me shumë pengesa rreth perspektivës së saj, sigurisë dhe ekzistencës”, tha Ayad.

Ai rikujtoi se pavarësia e Kosovës u bë realitet vetëm pas shpërbërjes së përgjakshme të ish-Jugosllavisë, ndërhyrjes së NATO-s, vendosjes së Kosovës nën administrimin e përkohshëm të Kombeve të Bashkuara dhe deklaratës së pavarësisë, e cila më pas ishte pranuar si legjitime edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

“Aktualisht ka 115 shtete që e kanë njohur Kosovën dhe e di që Qeveria po punon shumë që të shtohet numri i njohjeve”, tha Ayad, duke i vlerësuar njohjet e reja si shumë të rëndësishme për subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

Ndërkohë, Rejhan Vuniqi, zëvendësministre e Punëve të Jashtme tha se shteti i Kosovës kishte një rrugë aspak të lehtë deri te shtetësia e saj.

Kosova, nënvizoi ajo, po angazhohet si në planin e jashtëm, ashtu edhe atë të brendshëm që të ndërtojë një shoqëri demokratike e të barabartë.

“Deri më sot, Kosovën e kanë njohur 115 shtete. Prej tyre 112 nga 193 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara, 23 nga 28 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, 25 nga 29 shtete anëtare të NATO-s apo 37 nga 57 vendet anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik”, tha Vuniqi, duke e zbërthyer numrin e njohjeve sipas organizatave ndërkombëtare.

Por, nënvizoi ajo, Kosova ende po përballet me pengesa, barriera të ndryshme për njohje, që vijnë nga ndikimi i shteteve të fuqishme si Kina dhe Rusia.

Përveç sfidave nga fusha e politikës së jashtme dhe diplomacisë, janë përmendur edhe sfidat e brendshme të shtetit të Kosovës.

Pas disa viteve të brishtësisë nga aspekti i sigurisë, tani u vlerësua se Kosova ka një qëndrueshmëri të brendshme, ku raportet ndëretnike nuk shihen më si problemi kryesor, siç ishin dikur.

Ndërkaq sfidë më vete u tha se mbetet formimi i Ushtrisë së Kosovës, me çka do të rrumbullakoheshin strukturat e saj të sigurisë dhe mbrojtjes.

Burim Ramadani, zëvendësministër i Forcave të Sigurisë së Kosovës, tha se shndërrimi i FSK-së në Forca të Armatosura, mbetet një prej synimeve kryesore të politikës aktuale të vendit.

“Ne duam që të anëtarësohemi në NATO dhe që NATO të qëndrojë në Kosovë. Ne jemi në proces intensiv për të transformuar FSK-në në Forca të Armatosura të Kosovës. Ne synojmë të arrijmë fazën e dialogut për anëtarësim në NATO dhe të përfshihemi në programin për paqe”, theksoi Ramadani.

Më 17 shkurt, Kosova do të shënojë 10-vjetorin e pavarësisë.

Sidoqoftë, këto dy - tri vitet e fundit, institucionet e Kosovës janë ballafaquar me probleme e kriza serioze në vendimmarrje, çka është vlerësuar se ka reflektuar në izolimin e Kosovës, duke e lënë atë vendin e vetëm jashtë procesit të liberalizimit të vizave, e po ashtu, këto kriza janë reflektuar edhe në perspektivën integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG