Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se “në përfundim të afatit për ratifikimin e demarkacionit, në mënyrë që kosovarët të lëvizin lirshëm në BE, nga Qeveria paralajmërohet gjetja e një ‘zgjidhjeje’.
Sipas tij, është e qartë se me këtë ‘zgjidhje’ zyrtarët e Qeverisë u referohen neneve të marrëveshjes së vitit 2015, të cilët garantojnë rishikimin e saj në rast se paraqiten fakte të reja, shkruan Hoti në faqen e tij facebook.
Ai më tutje ka thënë se “ta kenë të qartë se nëse kjo ‘zgjidhje’ është ratifikimi i marrëveshjes së vitit 2015, kjo nuk mund të kalojë pa përgjegjësi për vonesën 3- vjeçare të liberalizimit të vizave, djegies së institucioneve dhe dëmtimit të imazhit publik të Kosovës".
Ndryshe, java e ardhshme mund të jetë vendimtare për Kosovën, nëse do të arrijë të zë afatin e fundit për t’u përfshirë në agjendën evropiane, duke ratifikuar Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si kriteri i fundit i Bashkimit Evropian për heqjen e vizave.