Ndërlidhjet

Pacientët në garë me kohën


Ilustrim
Ilustrim

Në Klinikën e Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndihmë mjekësore për koronografi dhe stenta, kërkojnë mbi 10 pacientë në ditë.

Kështu tha për Radion Evropa e Lirë, Tefik Bekteshi, kardiolog, sipas të cilit furnizimi me barna e material shpenzues në këtë klinikë, kohët e fundit është përmirësuar dukshëm.

“Në kardiologjinë invasive, kushtet e punës janë relativisht të mira. Kemi katër vende ku mund t’i pranojmë pacientët nga lista e pritjes. Kemi një sallë të renovuar me një aparat të servisuar dhe sallat janë në nivel”.

“Momentalisht, nuk kemi material aq sa do duhej të kemi, në mënyrë që të planifikojmë trajtime afatgjate, duke e marrë parasysh vëllimin e punës. Por, që furnizimet janë të vazhdueshme. Strukturave vendimmarrëse iu bëjmë thirrje që të kemi furnizim sa më të rregullt”, theksoi Bekteshi.

Megjithatë, në listë të pritjes janë edhe 74 pacientë. Por, Bekteshi thotë se kjo listë është reduktuar shumë pas furnizimit me material të nevojshëm për punë, marrë parasysh faktin që para dy muajve, kjo listë kishte 1.502 pacientë në pritje.

“Frekuenca e pacientëve gjatë ditës është deri në 12, ku 60 për qind janë stentime (stenta), derisa rastet tjera koronografi. Puna po shkon mirë. Këtu punojmë 7 mjekë dhe janë të mjaftueshëm për të mbuluar kërkesat e pacientëve. Momentalisht nuk po mungon asgjë, por jemi në kufi, ku çdo herë mund të ketë mungesë dhe ne po mundohemi që mos të kemi aso telashe”, tha Bekteshi.

Në anën tjetër, pacientët rikujtojnë se sëmundjet e zemrës janë shumë të ndjeshme dhe të paparashikueshme, andaj pritjet e gjata për trajtim nuk janë aspak të favorshme për ta.

S.B. 55 vjeçar, me sëmundje të zemrës i cili është në listën e pritjes, i tha Radios Evropa e Lirë se në rastet kur nuk ka mundësi trajtimi në vend dhe lista e pritjes është e gjatë, do të duhej që shteti të ofronte alternativa për mjekim jashtë vendit.

“Mendoj se duhet të zvogëlohen pritjet. Të vendoset një kriter. Nuk duhet që pacientët me sëmundje të zemrës më shumë se dy muaj të presin, për shkak të natyrës së sëmundjes. Nëse mundësia e trajtimit brenda kësaj kohe nuk ekziston, duhet vetë shteti të bëjë marrëveshje me ndonjë vend tjetër dhe të dërgojë pacientët për trajtim”, thotë ky pacient.

Edhe Klinika e Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës gjatë vitit 2017 ka kryer 128 operacione në zemër të hapur.

Por, janë edhe rreth 350 pacientë, që sipas profesionistëve shëndetësorë, ballafaqohen me probleme, përkatësisht sëmundje të zemrës dhe që kanë nevojë për intervenim. Ata janë në listë të pritjes, madje ka që presin edhe me vite.

Në të kaluarën, operacionet në zemër të hapur pacientët i kanë bërë jashtë institucioneve publike shëndetësore, për shkak se ky shërbim mjekësor nuk mund të aplikohej në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Këshilltari për media i ministrit të Shëndetësisë, Albatrit Matoshi thotë se gjatë vitit 2017 ,për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore, kanë aplikuar 2.000 qytetarë të cilët kanë kërkuar përkrahje financiare. Sipas tij, për këto shërbime janë shpenzuar 13 milionë euro.

Po ashtu, edhe rastet e fëmijëve të lindur me anomali në zemër, vazhdojnë të paraqiten si problem më vete, ngase ato raste nuk operohen në Kosovë. Kjo gjendje vjen si pasojë e mungesës së shërbimit të Kardiokirurgjisë Pediatrike. Gjatë një viti, sipas profesionistëve shëndetësorë, rreth 150 fëmijë kërkojnë ndihmë për intervenim në zemër.

Doktori, Ramush Beiqi tha për Radion Evropa e Lirë së ndodhë që fëmijët me anomali në zemër vdesin për shkak të diagnostikimit të mangët dhe kushteve joadekuate.

“Fëmijët vdesin nga sëmundjet e zemrës gjithkund në botë, e që quhet sëmundje moderne. Por që po të kishim një diagnostikim më të mirë për zemrën, do ta ulnim shumë vdekshmërinë”, tha Beiqi.

Përjashtuar rastet e fëmijëve, zyrtarë shëndetësorë, thonë se po planifikojnë që këtë vit t’i kryejnë 250 operacione në zemër të hapur.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG