The New York Times ka raportuar se presidenti amerikan, Donald Trump ka udhëruar shkarkimin e këshilltarit special, Robert Mueller në muajin qershor, mirëpo e ka kthyer mbrapsht vendimin pasi këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Donald McGahn ka kërcënuar me dorëheqje.
Në raportin e Times të publikuar më 25 janar janë cituar katër persona të paidentifikuar që janë të afërt me ngjarjen.
Sipas gazetës ende nuk ka komente nga Shtëpia e Bardhë.
Times ka raportuar, se pasi Trump ka urdhëruar shkarkimin e Muellerit, këshilltari McGahn, ka thënë se ai do të dorëhiqet në vend të përcjelljes së një udhri të tillë.
Agjencitë e inteligjencës amerikane kanë ardhur në përfundim se Rusia ka ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara në favor të Trumpit dhe në dëm të rivales së tij, demokrates, Hillary Clinton.
Mueller dhe të paktën tre panele kongresionale janë duke hetuar ndërhyrjen e supozuar dhe lidhjet në mes të fushatës së Trumpit dhe Rusisë.
Administrata amerikane kundërshton se ka pasur ndonjë bashkëpunim me Rusinë.
Ka pasur shumë spekulime për synimet e Trumpit për të shkarkuar Muellerin, derisa po vazhdojnë hetimet e këtij të fundit.
Trump i ka cilësuar më herët hetimet se “gjueti shtrigash”.
Sipas raportimeve të gazetës, Trump ka argumentuar në qershor se Mueller ka tri konflikte të interesit, të cilat e diskualifikojnë atë për të kryer hetime.
Në mesin e atyre për të cilat ka pretenduar Trump, në gazetë është përmendur edhe një konflikt vite më parë për taksa në Klubin Trump të Golfit në Virxhinia, i cili ka detyruar Muellerin të heqë dorë nga anëtarësia.