Kryeministrat e Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras në takimin e parë në Davos të Zvicrës, kanë theksuar përkushtimin e fuqishëm për zgjidhjen e kontestit të emrit, për ndërtimin e raporteve të mira fqinjësore dhe forcimin e stabilitetit në Ballkan.
Kryeministri Zaev i ka thënë kryeministrit grek se Maqedonia nuk ka pretendimet territoriale ndaj Greqisë dhe se dëshmi për përkushtimin e Shkupit në zgjidhjen e kontestit është edhe vendimi që do të marrë Qeveria për ndryshimin e emrit të aeroportit të Shkupit dhe autostradës, që mbajnë emrin “Aleksandri i Madh”.
“Me qëllim që të dëshmojmë se jemi të përkushtuar që të gjejmë zgjidhje konkrete, Qeveria do të ndryshojë emrin e aeroportit dhe të autostradës. Autostrada do të quhet e ‘miqësisë’. Aktivitetet tona dëshmojnë vullnetin tonë të mirë, ndërsa kjo dëshmon edhe faktin se nuk kemi kurrfarë aspiratash territoriale ndaj fqinjit tonë jugor. Nga ana tjetër, ata do të dëshmojnë vullnetin e mirë dhe do të na lejojnë të vazhdojmë bashkëpunimin me Bashkimin Evropian dhe me organizata tjera ndërkombëtare”, ka theksuar kryeministri Zaev, duke njoftuar vazhdimin e bisedimeve mes ministrave të Jashtëm të të dyja vendeve me ndërmjetesimin e Metju Nimic.
“Shumica e qytetarëve në të dyja vendet duan të kenë raporte të afërta miqësore, që do të kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit të dyanshëm. Duam të jemi partnerë të njëjtë në Bashkimin Evropian dhe partner lojal në NATO…Ne si liderë politikë kemi vizion politik, vullnet dhe përgjegjësi që të punojmë për kapërcimin e kontestit dypalësh që po zgjat tani 25 vjet. Është koha që të gjejmë zgjidhje, pasi kjo është vendimtare për perspektivat tona në BE dhe NATO”.
“Zgjidhja përfundimtare duhet të jetë e pranueshme për të dyja palët, duhet të mbajmë llogari për interesat tona dhe për interesat e tyre, zgjidhja duhet të jetë në drejtim të ruajtjes së dinjitetit të popujve tanë”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev, duke paralajmëruar hapa konkret për të dëshmuar, siç tha, përkushtimin e Maqedonisë për mbylljen e kontestit e emrit që ka me Greqinë.
Kryeministri grek, Alexis Tsipras ka thënë se rajoni ka vuajtur shumë nga nacionalizmat, andaj sipas tij, është koha që që vendet e këtij rajoni të punojnë për zhvillimin dhe thellimin e bashkëpunimit.
Ai ka thënë se Athina është e përkushtuar për gjetjen e zgjidhjes së kontestit me Maqedoninë, por ka përsëritur se zgjidhja duhet të jetë gjithëpërfshirëse apo siç njihet ndryshe “erga omnes”.
“Ballkani ka kaluar shumë situata për shkak të nacionalizmit. Është e nevojshme që të ketë agjendë për bashkëpunim dhe zhvillim. Ne do të bënim një hap para në sigurimin e stabilitetit. Ky është pozicioni i Greqisë, si fuqi e stabilitetit në Ballkan andaj shkojmë para në gjetjen e zgjidhjes….Sot e di se shumë njerëz na shohin, disa me skepticizëm e disa me shpresa andaj dua t’i dëshmojë se edhe ne dy duam që ta zgjidhin problemin me pragmatizëm dhe përgjegjësi. Edhe them këtë pasi nuk duam vetëm të zgjidhin kontestin, por duan që raportet tona t’i vendosim në respektin e ndërsjellë dhe së pari duhet të ngadhënjejmë mbi irredentizimin”.
“Ne do t’i mbështesim të gjitha iniciativat. Duhet të gjejmë zgjidhje për të gjitha problemet e hapura që kemi. Por, më duhet të theksoj se duhet të gjejmë zgjidhje ‘erga omnes’, emër për përdorim të gjithanshëm”, ka deklaruar kryeministri grek Alexis Tsipras.
Ndërkohë, drejtuesit e lartë shtetëror të Maqedonisë pritet së shpejti të shqyrtojnë propozimin për zgjidhjen e kontestit me Greqinë për çështjen e emrit. Zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski ka thënë në takimin ku do të bisedohet për propozimin e ndërmjetësit të OKB-së, do të marrin pjesë më shumë liderë politikë. Ndërkohë, pjesëmarrjen në takim e ka konfirmuar edhe kabineti i presidentit, Gjorge Ivanov.
“Ministria e Punëve të Jashtme është iniciatore e mbajtjes së takimit koordinues, me qëllim të njoftimit të institucioneve relevante me propozimin e mediatorit, Metju Nimic, i cili është prezantuar në takimin e fundit të grupeve negociatore në Nju Jork. Presidenti Ivanov është u gatshëm të marrë pjesë në një takim të tillë”, thuhet në njoftimin e kabinetit presidencial. Pjesëmarrjen në këtë takim e kanë konfirmuar edhe nga VMRO-DPMNE-ja opozitare. Në këtë takim pritet të marrë pjesë edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
Ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimic pas takimit me negociatorët në Nju Jork kishte shprehur optimizmin e tij zgjidhjen e mundshme të problemit.