Ndërlidhjet

'Patriotizmi folklorik' i marrëveshjeve Kosovë - Shqipëri


Ilustrim
Ilustrim

Dhjetëra marrëveshje të nënshkruara ndërmjet dy qeverive, të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, po konsiderohen nga analistë, ekspertë të ekonomisë, përfaqësues të bizneseve dhe nga disa nga institucionet e vendit se janë vetëm marrëveshje në letër, derisa në praktikë nuk shihet ndonjë përafrim i dy vendeve në fushat për të cilat ishin nënshkruar marrëveshjet.

Në katër mbledhjet e përbashkëta të qeverive të të dy vendeve, Kosovës dhe Shqipërisë, të mbajtura ndër vite, janë nënshkruar marrëveshje, të cilat kanë pasur për qëllim qeverisje të përbashkët strategjike me një vizion euroatlantik.

Mbledhja ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, ishte mbajtur në vitin 2014 ku ishte nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi dhe partneriteti ndërmjet dy qeverive, marrëveshje në fushat e transportit dhe infrastrukturës, si dhe thellim i bashkëpunimit në fushën e integrimit evropian.

Analisti Naim Gashi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se deri më tani mbledhjet e dy qeverive dhe marrëveshjet e nënshkruara Kosovë- Shqipëri, flasin më shumë për një patriotizëm folklorik.

Sipas tij, në praktikë më së miri flasin statistikat zyrtare të shkëmbimeve tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë, të cilat nuk e kalojnë vëllimin tregtar mbi 150 milionë euro në vit, derisa vetëm me Serbinë shkëmbimet tregtare janë rreth 350 milionë euro.

“Marrëveshjet e nënshkruara mes Kosovës dhe Shqipërisë janë vetëm marrëveshje në letër, ndërsa në praktikë nuk po shohim përafrim të dy vendeve, si në fushën e ekonomisë, arsimit, teknologjisë dhe fushave tjera”.

“Fatkeqësisht, ne kemi mbledhje mediatike ndërmjet qeverive të të dyja vendeve, por në aspektin praktik, qytetarët e njërit dhe vendit tjetër kur shkojnë në Shqipëri dhe anasjelltas, ende duhet t’i njohin diplomat e tyre, duhet t’i njohin certifikatat e origjinës së mallit, nuk ka një sistem universitar të njësuar, as diploma të njësuara, as certifikata të biznesit të njësuara, certifikata të origjinës së mallrave, ndërsa pritjet në pikat doganore janë të gjata”, thotë Gashi.

Ndërkohë, në një nga mbledhjet e qeverive të të dyja vendeve Kosovë - Shqipëri ishte nënshkruar edhe një protokoll bashkëpunim ndërqeveritar, i cili përfaqëson kornizën e plotë institucionale të marrëdhënieve ndërmjet këtyre shteteve në të gjitha fushat, duke filluar nga ekonomia e deri tek arsimi.

Në fushën e arsimit, disa nga marrëveshjet e nënshkruara, kanë të bëjnë me zhvillimin dhe përparimin profesional të mësimdhënësve në arsimin parauniversitar, si dhe bashkëpunim në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor ndërmjet dy shteteve.

Lidhur me marrëveshjet në fushën e arsimit, eksperti i fushës, Halim Hyseni, thotë për Radion Evropa e Lirë se marrëveshjet e nënshkruara janë pa efekte konkrete dhe krejtësisht të parëndësishme.

“Nënshkrimi i marrëveshjeve mes Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e arsimit duhet të bëhen, por mënyra se si po bëhet, nuk po paraqet një bashkëpunim real përmbajtjesor, por është më shumë i formalizuar. Çështja e parë është se të dy sistemet e arsimit, ai në Shqipëri dhe Kosovë janë në krizë të rëndë. Mendoj se duhet një qasje e re në bashkëpunim në fushën e arsimit mes Kosovës dhe Shqipërisë“, vlerëson Hyseni.

Për moszbatim të njërës nga marrëveshjet, e cila ishte konsideruar se do t’i sillte Kosovës dhe Shqipërisë nxitje të zhvillimit ekonomik, e kanë konfirmuar edhe autoritetet në Kosovë.

Marrëveshja për nxitje dhe lehtësim të tregtisë, e nënshkruar tani e sa vite ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, nuk ka gjetur zbatim të plotë ka bërë të ditur Sytrime Dervisholli, udhëheqëse e Departamentin për Tregti në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Ajo ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ka hapësirë që të bëhet një fuqizim më i madh i raporteve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

“Viteve të fundit është vërejtur një vëllim më i shtuar i vendosjes së barrierave nga ana e Shqipërisë karshi Kosovës. Barrierat tregtare më të theksuara janë në produktet bujqësore. Kemi mjaft raste ku raporti i analizave në kualitet, i lëshuar nga laboratorët relevantë të Kosovës, nuk njihet nga autoritetet e Shqipërisë”.

“Kemi edhe aplikim të çmimeve referente ndaj produkteve bujqësore me orgjinë kosovare, më së shumti me rastin e patateve. Së fundi kemi pasur rastin e vezëve, ku një sasi enorme e vezëve të importuara nga tregu i Shqipërisë kanë hyrë në Kosovë, duke shkaktuar pasoja në tregun tonë”, thotë Dërvisholli.

Analisti Naim Gashi i quan të pakuptimta të gjitha këto barriera ekonomike, në të cilat hasin bizneset.

“Është paradoksale që Shqipëria ende i konteston certifikatat e origjinës së mallrave apo certifikatat tjera që vijnë nga Kosova”, shprehet Gashi.

Bizneset prodhuese në Kosovë, ndërkohë, ishin deklaruar se më lehtë e kanë të eksportojnë mallra dhe shërbime në vendet e Bashkimit Evropian sesa në Shqipëri.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikanë në Kosovë, Arian Zeka në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se bizneset në Kosovë, në vazhdimësi ankohen se e kanë të pamundur të depërtojnë në tregun e Shqipërisë.

“Vazhdojmë të kemi ankesa nga ana e kompanive, përkitazi me barriera të caktuar në momente të caktuara, qoftë për prodhuesit e lëngjeve apo produkteve tjera. Bizneset nga Kosova, edhe nëse vendosin të investojnë në tregun e Shqipërisë, mbijetesa atje është pothuajse e pamundur në një periudhë më të gjatë. Bizneset e tilla janë nga sektori i shërbimeve, teknologjisë së informacionit. Të gjitha këto biznese pas vitit të parë ose të dytë të operimit, nuk kanë mundur të vazhdojnë më në tregun e Shqipërisë”, thotë Zeka.

Sidoqoftë, krerët e qeverive të të dyja vendeve, Kosovës dhe Shqipërisë, në mbledhjen e fundit që është mbajtur në fillim të kësaj jave, kishin theksuar se tradita e konsoliduar e mbledhjes së dy qeverive është jo vetëm pozitive, por edhe produktive.

Në këtë takim ishte thënë se që nga nisja e mbledhjeve të përbashkëta ndërmjet dy qeverive, rezultatet janë konkrete, të dukshme dhe shpresëdhënëse.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG