Ndërlidhjet

Flynn pranon se ka gënjyer FBI-në


Michael Flynn
Michael Flynn

Michael Flynn, i cili ka dhënë dorëheqje si këshilltar për siguri kombëtare i presidentit amerikan, Donald Trump, vetëm pas 24 ditësh në administratën e tij, ka pranuar se ka bërë deklarata të rreme para FBI-së. Kjo vepër në SHBA është krim federal.

Akuzat, që janë ngritur të premten, shënojnë një zhvillim të madh në hetimet që po bën këshilltari i posaçëm, Robert Mueller, për lidhjet e mundshme midis fushatës presidenciale të Trumpit dhe Rusisë.

Dosja në gjykatën federale në Uashington thotë se Flynn “me dashje dhe me vetëdije” ka gënjyer kur i ka thënë FBI-së se nuk i ka diskutuar sanksionet e SHBA-së kundër Moskës me Sergei Kislyakun, atëbotë ambasador i Rusisë në SHBA.

Në dokument thuhet se biseda ka ndodhur gjatë periudhës së tranzicionit midis zgjedhjeve presidenciale të 8 nëntorit, 2016, dhe inaugurimit të Trumpit, më 20 janar, 2017.

Flynn, gjeneral i pensionuar i ushtrisë amerikane, i cili ka shërbyer si zyrtar i lartë i inteligjencës në administratën e presidentit Barack Obama, nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, derisa ka arritur në gjykatën federale në Uashington.

Flynn duke hyrë në gjykatë...
Flynn duke hyrë në gjykatë...

Avokatët e tij kanë lëshuar një deklaratë nga Flynn, e cila thotë:

“E di se veprimet që i kam pranuar sot në gjykatë kanë qenë gabim dhe, me besimin tim në Zot, po punoj për t’i rregulluar gjërat. Pranimi i fajit dhe marrëveshja për të bashkëpunuar me zyrën e këshilltarit të posaçëm reflekton vendimin që kam marrë në interesin më të mirë të familjes sime dhe vendit tonë”.

Avokati i Trumpit, Ty Cobb, ka lëshuar një deklaratë duke thënë se pranimi i fajësisë nga ana e Flynnit nuk e prek askënd tjetër, pos Flynnit.

Norm Eisen, i cili ka qenë avokat i etikës në administratën Obama, ka thënë se akuza është relativisht e lehtë, gjë që mund të nënkuptojë se Flynn u ka ofruar bashkëpunim të konsiderueshëm hetuesve.

“Në praktikë, kjo do të thotë se ai do të bashkëpunojë kundër dikujt më të rëndësishëm sesa ai; prokurorët nuk e konsiderojnë në praktikë një të pandehur që implikon vetëm kolegët ose vartësit”, ka thënë Eisen në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Meqë Flynn ka qenë aktiv në fushatë dhe në Shtëpinë e Bardhë, ai duhet të ketë ofruar informacione që mund të përdoren për të ngritur rast kundër të tjerëve, ka thënë ai.

Sipas Eisen, kjo mund të përfshijë dhëndrin e Trumpit, Jared Kushner, djalin e Trumpit, Donald Jr., ose dikë tjetër me peshë të ngjashme, ose Trumpin vetë.

Flynn ka dhënë dorëheqje si këshilltar për siguri i Trumpit në muajin shkurt, pasi është zbuluar se ai e ka keqinformuar nënpresidentin Mike Pence në lidhje me kontaktet e tij me Kislyakun.

Mueller është duke udhëhequr hetimet e Departamentit të Drejtësië mbi kontaktet e fushatës së Trumpit dhe të bashkëpunëtorëve të tjerë të tij me agjentë të Qeverisë ruse.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG