Një ligjvënës i njohur rus tha sot se në parlament po përgatitet një legjislacion sipas të cilit mediat e jashtme të mbështetura nga qeveritë, mund të konsiderohen “agjentë të jashtëm” në Rusi.
Komentet e ligjvënësit, Andrei Isaev, po bëhen pas vërejtjeve nga Moska se do të përgjigjet ndaj asaj që ajo e vlerëson si presion i Shteteve të Bashkuara në mediat ruse të financuara nga shteti, RT dhe Sputnik, që operojnë në SHBA.
Isaev tha se Radio Evropa e Lirë/Radio Liria, Zëri i Amerikës, dhe transmetuesi publik gjerman, Deutsche Welle, janë në mesin e mediave që mund të shpallen agjentë të jashtëm në Rusi, pasi të miratohet legjislacioni i ri.
Isaev tha se ligjvënësit kanë vendosur të punojnë në legjislacionin “i cili do t’i mundësojë Moskës që mediat e jashtme t’i shpall agjentë të jashtëm nëse ato janë të financuara nga qeveria apo struktura proqeveritare të jashtme” dhe që “aktivisht operojnë në territorin rus, përfshirë ndërhyrjen në procesin tonë zgjedhor”.