Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale për kryetarë të komunave, që u mbajtën më 22 tetor 2017.
Duke u mbështetur në këto rezultate, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka bëri të ditur se raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave do të mbahet më 19 nëntor, në 19 komuna (Gjakovë, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Suharekë, Ferizaj, Vushtrri, Malishëve dhe Kllokot).
Ndërkohë, në 19 komuna tjera, kryetarët e rinj janë zgjedhur që në rrethin e parë.
Daka njoftoi se KQZ-ja shpallë këto rezultate pas konfirmimeve të pranuara nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa si dhe nga Gjykata Supreme.
Numri i qytetarëve me të drejtë vote në këtë raund është 1 milion e 353 mijë e 613 votues, ndërsa numri i Qendrave të Votimit është 614 me gjithsej, 1 mijë e 777 Vendvotime.
Gjithashtu, kryetarja e KQZ-së bëri të ditur se duke filluar nga momenti i shpalljes, subjektet politike dhe kandidatët (vetëm nga zgjedhjet për kryetar komune) mund të paraqesin ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, në një afat brenda 24 orësh.