Ndërlidhjet

Kush janë Paul Manafort dhe Rick Gates?


Paul Manafort (djathtas) dhe Rick Gates
Paul Manafort (djathtas) dhe Rick Gates

Paul Manafort, biznismen dhe operativ i Partisë Republikane të Shteteve të Bashkuara, i është dorëzuar të hënën FBI-së për t’u përballur me akuzat e një këshilltari të posaçëm, i cili po heton ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, vitin e kaluar.

Manafort dhe bashkëpunëtori i tij, Rick Gates, janë akuzuar nga një juri federale. Aktakuza prej 12 pikash përfshin konspiracionin kundër SHBA-së, konspiracionin për shpëlarje parash, të qenët agjentë të paregjistruar të një aktori të huaj, të bërit deklarata të rreme dhe mashtruese dhe shtatë akuza për dështim në paraqitjen e llogarive bankare dhe financiare.

Kremlini e ka mohuar ndëhyrjen në fushatën zgjedhore në SHBA për të kthyer votën në favor të presidentit aktual, Donald Trump. Trump ka mohuar çdo bashkëpunim të fushatës së tij me zyrtarët rusë.

Kush është Manafort?

Manafort, veteran republikan, ka punuar si lobist në Uashington dhe konsulent politik ndërkombëtar. Klientët e tij përfshijnë udhëheqës autoritarë, si Ferdinand Marcosin e Filipineve dhe biznesmenë dhe politikanë rusë dhe ukrainas. Manafort ka qenë udhëheqës i fushatës së Trumpit në verën e vitit 2016.

Aktakuza kundër Manafortit dhe Gatesit thotë se të dy ata kanë gjeneruar dhjetëra miliona dollarë në të ardhura nga puna në Ukrainë dhe kanë shpëlarë para përmes burimeve në SHBA dhe entiteteve të huaja, me qëllim fshehjen e pagesave nga autoritetet amerikane, nga viti 2006 deri së paku në vitin 2016.

Aktakuza thotë se ata kanë fshehur nga SHBA-ja punën dhe të ardhurat si agjentë të partive politike të Ukrainës. Ata nuk kanë paguar tatime në të ardhura, thanë prokurorët. Sipas aktakuzës, mbi 75 milionë dollarë kanë rrjedhur në llogaritë e Manafortit dhe Gatesit në vende të huaja. Manafort, sipas aktakuzës, ka shpëlarë mbi 18 milionë dollarë.

Aktakuza po ashtu e ngarkon Manafortin dhe Gatesin, së bashku me të tjerë, për konspiracion për të mashtruar SHBA-në duke “penguar, dëmtuar dhe sfiduar” funksionet e ligjshme qeveritare të Departamentit të Drejtësisë dhe të Departamentit të Thesarit në periudhën 2006-2017.

Cilat janë lidhjet e Manafortit me Trumpin?

Manafort i është bashkuar fushatës presidenciale të Trumpit në mars të vitit 2016, ndërsa më vonë është bërë udhëheqës i fushatës, por është detyuar të hapë dorëheqje në muajin gusht, kur edhe kanë nisur dyshimet për punën e tij të mëparshme për partinë politike të ish-presidentit pro-rus të Ukrainës, Viktor Yanukovich.

Donald Trump, Paul Manafort dhe Ivanka Trump.
Donald Trump, Paul Manafort dhe Ivanka Trump.

​Business Insider ka raportuar se Manafort dhe Trump kanë qenë të lidhur qysh në vitet 1980, kur Trump e ka angazhuar firmën lobuese të Manafortit për të ndihmuar Organizatën Trump.

Në vitin 2006, Manafort dhe gruaja e tij kanë blerë një apartament në Trump Tower në Nju Jork, të cilin Manafort e posedon ende, ka raportuar Business Insider.

Si lidhen akuzat me Trumpin?

“Ato nuk kanë të bëjnë me fushatën apo akuzat për bashkëpunim me Rusinë”, ka thënë avokati John Dowd, i cili e prezanton Trumpin në hetimet e çështjes ruse.

Por, aktakuza e këshilltarit të posaçëm thotë se Manafort dhe Gates kanë shpëlarë para përmes “burimeve në SHBA dhe korporatave të huaja, partneriteteve dhe llogarive bankare”, përafërsisht nga viti 2006 deri së paku në vitin 2016.

Kush është Rick Gates?

Rick Gates ka qenë zëvendës i Manafortit dhe bashkëpunëtor i biznesit. Sipas dy ish-anëtarëve të stafit të Trumpit, ai ka funksionuar si menaxher i fushatës së Trumpit për më shumë se dy muaj, por nuk ka marrë pagë.

The New York Times ka raportuar në muajin qershor se ekipi i tranzicionit i Trumpit është urdhëruar të ruajë materialet e lidhura me hetimet e ndërhyrjes së dyshuar të Rusisë në zgjedhjet më 2016. Sipas Times, memorandumi nga zyra e këshilltarit të posaçëm për ish-ekipin e tranzicionit ka kërkuar informacione specifike edhe për pesë njerëz, përfshirë Manafortin dhe Gatesin.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG