Paul Manafort, ish-udhëheqës i fushatës së presidentit amerikan, Donald Trump, u akuzua të hënën për komplot për të mashtruar Shtetet e Bashkuara në marrëveshjet e tij me Ukrainën.
Juria federale e ngarkoi Manafortin dhe bashkëpunëtorin e tij biznesor, Rick Gates, me 12 akuza, përfshirë: konspiracion kundër SHBA-së, konspiracion për shpëlarje të parave, të vepruarit si agjentë të huaj të paregjistruar, të bërit deklarata të rreme e të tjera.
Manafort ka arritur në zyrën e FBI-së në Uashington menjëherë pasi The New York Times dhe CNN, duke cituar burime të paidentifikuara, kanë raportuar se atij dhe Gates u është thënë të dorëzohen tek autoritetet federale.
Dokumentet e gjykatës po ashtu kanë treguar se George Papadopoulos, ish-këshilltar për politikë të jashtme i fushatës së Trumpit, është deklaruar fajtor për mashtrim të FBI-së në lidhje me kontaktet e tij me Rusinë.
Akuzat janë të parat që rrjedhin nga hetimet që po bën këshilltari i posaçëm, Robert Mueller, për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së më 2016 dhe për bashkëpunimin e mundshëm të ndihmësve të Trumpit me zyrtarët rusë.
“Njoftimet e sotme nuk kanë të bëjnë asgjë me presidentin, nuk kanë të bëjnë asgjë me fushatën e presidentit apo aktivitetin e fushatës”, u tha gazetarëve zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders.
Ajo po ashtu tha se akuzat nuk tregojnë prova për bashkëpunim midis fushatës së Trumpit dhe Rusisë.
Sanders tha se roli i Papadopoulosit ka qenë “jashtëzakonisht i kufizuar në fushatë” dhe se ai ka qenë në “pozitë vullnetare” dhe “nuk ka bërë asnjë aktivitet në kapacitet zyrtar”.
Lexoni edhe këtë:
Manafort u është dorëzuar autoriteteve lidhur me hetimet për Rusinë