Paul Manafort, ish-shef i fushatës së presidentit amerikan, Donald Trump, u është dorëzuar autoriteteve federale lidhur me hetimin e këshilltarit special, Robert Mueller, për ndërhyrjen e dyshuar ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2016 dhe për marrëveshje të fshehtë të mundshme nga ndihmësit e Trumpit me Rusinë.
Zoti Manafort sot ka arritur në selinë e zyrës së agjencisë FBI në Uashington. Ardhja e tij u bë pak kohë pasi e përditshmja New York Times dhe rrjeti CNN, duke cituar burime të paemëruara, kanë raportuar se Manafortit dhe ish-ndihmësit të tij biznesor, Rick Gates, u ishte thënë që tu dorëzohen autoriteteve federale.
Manafort dhe Gates janë akuzuar për krim, përfshirë konspiracion kundër Shteteve të Bashkuara, konspiracion për pastrim të parave, dështim për tu regjistruar si agjent i jashtëm, deklarata të rrejshme dhe për dështim për plotësimin e raporteve për xhirollogari të jashtme bankare.
Urdhri lidhur me dorëzimin e tyre është zhvillim madhor në hetimin e zotit Mueller, që po kryhet paralelisht me hetimin në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.
Agjencia Associated Press, duke i cituar burimet e paidentifikuara, për të cilat thotë se janë të afërta me këtë çështje, ka raportuar se të dy personat priten që më vonë gjatë ditës së sotme do të paraqiten në gjykatë për ballafaqim me akuzat e prezantuara nga ekipi i zotit Mueller.
Agjencitë e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara në muajin janar të këtij viti, patën konkluduar se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kishte urdhëruar “fushatë ndikuese”, e cila për cak i kishte zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, me qëllim që të shkatërrohet besimi në demokracinë amerikane, të komprometohet reputacioni i rivales së Trumpit, demokrates Hillary Clinton, dhe për ta ndihmuar Donald Trumpin.
Këto akuza janë të parat nga hetimi i zotit Mueller, i cili ishte emëruar këshilltar special në muajin maj.
Shtëpia e Bardhë ka refuzuar të bëjë komente lidhur me këto raporte.
Këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë, Kellyane Conway, në rrjetin, FOX News, pak kohë para paraqitjes së raporteve, ka reaguar duke i ngritur supet.
Rusia i ka hedhur poshtë akuzat për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane, megjithë ekzistimit të dëshmive substanciale.
Zoti Trump, që fitoi në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, më 8 nëntor të vitit të kaluar, i ka hedhur poshtë pohimet për çfarëdo marrëveshjeje të fshehtë ndërmjet bashkëpunëtorëve të tij dhe Rusisë.
Në muajin gusht të vitit 2016, Paul Manfort ka paraqitur dorëheqje nga posti i shefit të fushatës së Donald Trumpit, pas raporteve për punën lobuese për një parti politike proruse në Ukrainë dhe për dështim që të regjistrohet si agjent i jashtëm. Ai e pat hedhur poshtë çfarëdo keqbërje.
Zoti Manafort u ka dorëzuar dokumente Komitetit për drejtësi të Senatit dhe Komiteteve të inteligjencës së Senatit dhe Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara.
Në këto dosje raportohej se përfshiheshin edhe shënimet që ai i kishte bërë gjatë takimit me djalin e presidentit, Donald Trump i riu, dhe me një avokate ruse, në qershor të vitit 2016. Sipas raporteve, imejlat e dërguar nga Donald Trump i riu tregojnë se takimi ishte paraparë për të diskutuar për informacione potencialisht dëmtuese për kandidaten demokrate, Hillary Clinton.