Ndërlidhjet

Sistemi publik shëndetësor me shumë donacione 


Klinika e Pediatrisë në QKUK
Klinika e Pediatrisë në QKUK

Donacionet, janë një nga format me të cilat ndihmohet shërbimi spitalor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Këto donacione, shërbimit spitalor i shkojnë qoftë si barna, material shpenzues apo edhe të holla.

Përpos donacioneve të mëdha, që ky institucion si dhe Ministria e Shëndetësisë pranojnë nga donatorët që tashmë janë prezent me vite, ka edhe iniciativa të qytetarëve për të ndihmuar institucionet publike shëndetësore.​

Gjendja paraprake në banjot në QKUK
Gjendja paraprake në banjot në QKUK

Rina Limani, koordinatore për donacione në nivel të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, i tha Radios Evropa e Lirë se ndihma e vullnetarëve, individë ose organizata që lajmërohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe Shërbimin Spitalor, janë mjaft të shpeshta.

Kemi organizime në formë të donacioneve të vogla, të holla të mbledhura nga shkolla të ndryshme, pastaj organizimi i maratonave (aktiviteteve sportive humanitare), ku qytetarët lajmërohen për të dhënë shuma modeste për të ndihmuar”, thotë Rina Limani.

Shumat e tilla janë të mirëseardhura dhe ne mundohemi që ato mjete t’i shfrytëzojmë për nevoja emergjente për institucionin e dedikuar. Ka raste kur vijnë me një plan se cilës Klinikë dëshirojnë t’i ndihmojnë. Gjithsesi janë shumë të dobishme dhe ndihmojnë në ofrimin e shërbimeve më kualitative”, tha Limani.

Pamjet pas investimeve në QKUK
Pamjet pas investimeve në QKUK

Sipas saj, në gjashtë mujorin e parë të vitit 2017, vetëm Shërbimi Spitalor Klinik Universitar ka pranuar rreth 3 milionë euro donacione.

Por, një nga donacionet që së fundmi ka ndihmuar Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, janë paratë e mbledhura nga mini-maratona që u organizua këtë vit, ku morën pjesë qytetarët e Prishtinës si dhe komuniteti i shqiptarëve në Londër.

Klinika e Pediatrisë
Klinika e Pediatrisë

Afërdita Paqarada, njëra nga organizatoret tha se qytetarët kanë kontribuar me rreth 6.400 euro dhe këto të holla janë shfrytëzuar për renovimin e objektit të Klinikës ku trajtohen fëmijët e prekur me kancer.

Donacioni që është grumbulluar nga aktiviteti i mini-maratonës, 5 kilometra, është rreth 6 mijë e 400 euro. Kanë kontribuar qytetarët e Prishtinës kryesisht, por edhe komuniteti i shqiptarëve nga Londra”.

Të hollat e mbledhura ju kanë dedikuar Qendrës Klinike, përkatësisht Klinikës Pediatrike. Kjo pasi kemi vlerësuar që kushtet ku trajtohen fëmijët e prekur me kancer kanë qenë mjaft të vështira. Është rregulluar brenda objekti duke u izoluar dhe ngjyrosur”, tha Paqarada.

Ndryshe, në sistemin publik shëndetësor në Kosovë, çdo vit hyjnë miliona euro si donacione. Megjithatë, institucionet publike shëndetësore vazhdojnë të përballen me mungesë të madhe të pajisjeve të nevojshme për shërbime kualitative, mungesë barnash e materialit shpenzues.

Buxheti për shëndetësi ndër vite nuk ka pasur rritje dhe kjo ka qenë arsyeja pse shërbimet shëndetësore nuk kanë qenë në nivelin e dëshiruar. Për një vit, Qeveria e Kosovës për shëndetësi ndan rreth 180 milionë euro.

Një dhomë e pacientëve në Klinikën e Pediatrisë
Një dhomë e pacientëve në Klinikën e Pediatrisë

Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se ka pasur në vazhdimësi mbështetje të donatorëve, që ka rezultuar me ngritjen e kapaciteteve institucionale, atyre humane, furnizime me barna, pajisje mjekësore dhe ngritje të infrastrukturës shëndetësore. Ata kanë shtuar tutje se po punohet në vazhdimësi që të krijohet një ambient i përshtatshëm për investimet e huaja pasi ato janë të domosdoshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG