Ndërlidhjet

Kurdistani i Irakut mban referendumin për pavarësi


Nga një vendvotim në Kurdistan të Irakut...
Nga një vendvotim në Kurdistan të Irakut...

Votuesit në rajonin gjysmë-autonom kurd të Irakut votojnë sot në referendumin për pavarësi, pavarësisht kërcënimeve nga Bagdadi se do të luftojë për të ruajtur unitetin e vendit.

Presidenti i Qeverisë Rajonale të Kurdistanit, Masud Barzani, tha se votomi është hapi i parë në një proces të gjatë për negocimin e pavarësisë së rajonit, i cili ka qenë autonom qysh në vitin 1991 dhe ka luajtur rol të madh në luftën kundër ekstremistëve islamikë.

“Referendumi nuk është tërheqje kufijsh. Nuk është për të vënë status-quo në asnjë zonë. Pas referendumit, ne jemi të gatshëm të nisim procesin e një dialogu të thellë me Bagdadin”, tha Barzani.

Mbi 5.3 milionë njerëz janë të regjistruar si votues në rajon.

Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera perëndimore kanë shprehur shqetësime se referendumi do ta zbehë luftën kundër grupit militant Shteti Islamik dhe se do të çojë në trazira në zonat e diskutueshme.

Referedumi po ashtu kundërshtohet nga Turqia dhe Irani, që vetë kanë pakica të mëdha kurde.

Ministria e Jashtme e Turqisë tha sot se Ankaraja “do t’i ndërmarrë të gjitha masat”, në bazë të ligjit ndërkombëtar, nëse referendumi për pavarësi i kurdëve të Irakut gjeneron kërcënime ndaj sigurisë kombëtare në Turqi.

Ministria tha se nuk e njeh referendumin dhe se rezultatin e tij do ta konsiderojë të pavlefshëm.

Ankaraja po ashtu akuzoi qeverinë rajonale kurde të Irakut për kërcënimin e paqes dhe të stabilitetit të Irakut dhe gjithë rajonit.

Në një fjalim televiziv të dielën, kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi, tha se votimi është “jokushtetues dhe kundër paqes civile”.

Kryeministri i Irakut, Haidar al-Abadi.
Kryeministri i Irakut, Haidar al-Abadi.

Abadi tha se referendumi “mund të çojë në ndarje etnike dhe t’i ekspozojë irakianët para rreziqeve katastrofike që vetëm Zoti i di”.

Në Teheran, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Keivan Khosravi, tha se ky vend i ka ndaluar të gjitha fluturimet midis Republikës Islamike dhe rajonit kurd të Irakut, me kërkesë të qeverisë në Bagdad.

Njoftohet se presidenti iranian, Hassan Rohani, ka biseduar në telefon me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe janë pajtuar se referendumi “do të shkaktojë kaos në rajon”.

Liderët kurdë të Irakut kanë thënë se referendumi do të zhvillohet në tri provinca që zyrtarisht përbëjnë rajonin gjysmë-autonom kurd: Dahuk, Irbil dhe Sulaimania, si dhe në disa zona fqinje.

Këto zona përfshijnë qytetet Kirkuk, Makhmour, Khanakin dhe Sinjar, ku forcat kurde Peshmerga kanë marrë kontrollin pasi i kanë dëbuar militantët e Shtetit Islamik.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG