Ndërlidhjet

Trump do monitorim më të ashpër të marrëveshjes bërthamore me Iranin


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se SHBA mund të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe fuqitë e tjera botërore, nëse vlerëson se Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) nuk e monitoron mjaftueshëm atë.

“Nuk do të pranojmë marrëveshje të mbikëqyrur në mënyrë të dobët ose të papërshtatshme”, tha Trump në një mesazh për takimin e ANEB-it në Vjenë, i cili u lexua nga sekretari amerikan për energji, Rick Perry.

Vëzhguesit e SHBA-së dhe të Kombeve të Bashkuara kanë konstatuar se Irani e ka respektuar marrëveshjen, e cila ka kërkuar nga Republika Islamike të frenojë programin bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Megjithatë, administrata Trump ka akuzuar shpesh Teheranin për thyerje të “shpirtit” të marrëveshjes me testimin e raketave balistike dhe të raketave me kapacitet për bartjen e kokave bërthamore.

Administrata Trump po ashtu ka lobuar për inspektime më të ashpra bërthamore në Iran, përfshirë lokacionet ushtarake.

Por, kreu i Organizatës për Energji Bërthamore të Iranit, Ali Akbar Salehi, i bëri thirrje ANEB-it t’iu rezistojë “kërkesave të papranueshme të Uashingtonit”.

Duke vlerësuar se Irani është duke vepruar në përputhje me marrëveshjen, Salehi tha në takimin në Vjenë se “qëndrimi i hapur armiqësor” i Uashingtonit synon të minojë marrëveshjen bërthamore.

Drejtori i ANEB-it, Yukia Amano, tha se zotimet e Iranit me marrëveshjen bërthamore “po zbatohen”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG