Drejtoresha për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, në Shërbimin e Jashtëm të Bashkimit Evropian, Angelina Eichhorst, ka zhvilluar takime të ndara me drejtuesit e institucioneve të shtetit të Kosovës.
Gjatë takimeve me përfaqësuesit e institucioneve, sipas komunikatave për media të lëshuara nga Zyra e kryeministrit të Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës, thuhet se është biseduar për agjendën evropiane të Kosovës dhe zbatimin e reformave në vend.
Drejtoresha Eichhorst, ka thënë se Kosova duhet të angazhohet në përmbushjen e obligimeve të saj që do ta hapte rrugën e integrimeve dhe veçanërisht procesin e liberalizimit të vizave.
“Kosova dhe Ballkani Perëndimor, në përgjithësi, kanë perspektivë evropiane dhe të gjitha vendet e rajonit duhet që fillimisht të bëjnë më shumë në zbatimin e kritereve për anëtarësim”, ka thënë Eichhorst në takimin me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, thuhet në komunikatën për medie të Zyrës së kryeministrit.
Kryeministri i Kosovës Haradinaj, ndërkaq, citohet të ketë thënë se zbatimi i agjendës së reformave evropiane dhe operacionalizimi i MSA-së do të mundësojë përafrimin e Kosovës me BE-në
“Rruga e integrimeve evropiane për Kosovën është e qartë dhe se puna e Qeverisë është e përqendruar në sundimin e ligjit, reformat në fushat e ndryshme, rimëkëmbjen ekonomike dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve”, ka thënë Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj, në takim më zyrtaren e BE-së Eichhorst, thuhet të ketë treguar gatishmërinë për vazhdimin e dialogut me Serbinë, si alternativë të vetme, por të ristrukturuar dhe të afatizuar në kohë si dhe me përmbushje të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura.
Ndërkohë, në një njoftim të dërguar nga Kuvendi i Kosovës, thuhet se kryeparlamenatri Kadri Veseli e ka siguruar zyrtaren e BE-së Eichhorst se institucionet e reja të Kosovës janë të përkushtuara për përmbushjen e kritereve që mundësojnë heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe lehtësojnë rrugën evropiane të saj.
“Kosova po punon në avancimin e reformave demokratike, forcimin e shteti ligjor dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar”, citohet të ketë thënë Veseli.
Zyrtarja e lartë e BE-së Angelina Eichhorst gjatë takimeve thuhet të ketë konfirmuar mbështetjen e fuqishme të Bashkimit Evropian për perspektivën evropiane të Kosovës.