Ndërlidhjet

Shëndetësia, një prioritet i munguar i qeverive ndër vite


Ilustrim
Ilustrim

Sektori i shëndetësisë në Kosovë ka nevojë për mbështetje edhe më të madhe institucionale, thonë profesionistë nga kjo fushë. Sipas tyre, prioritetet e Qeverisë së re për sektorin e shëndetësisë do duhej të ishin rritja e buxhetit, furnizimi më i mirë me barna si dhe rregullimi i infrastrukturës.

Reformat në sistemin shëndetësor, me gjithë lëvizjet e bëra ndër vite, vlerësohet se nuk arritën që të zbatohen në masë të kënaqshme. Zyrtarë brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës deklarojnë se këto reforma kanë ngecur.

Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë tha për Radion Evropa e Lirë se ministri i ardhshëm i Shëndetësisë do duhej ta bindë Qeverinë e Kosovës se sektori i shëndetësisë duhet të jetë prioritet, për shumë arsye.

Ministri i ardhshëm do duhej ta ndajë periudhën në disa etapa. Ato për emergjencën dhe të definojë çështjen e furnizimit me barna, pasi e kemi gjendjen alarmante, pastaj çështjen e buxhetit dhe sa më shpejtë të fillohet me përmirësimin e ligjeve, sidomos me atë të sigurimeve shëndetësore, duke definuar mbledhjen e premiumeve. Ky ministër duhet sigurohet që të ketë mbështetjen e kryeministrit dhe të lobojë për rritje buxheti”, thotë Syla.

Në anën tjetër, Basri Lenjani drejtor i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës thotë se që nga koha e pas luftës, asnjëra nga qeveritë nuk e ka pasur prioritet shëndetësinë. Si rezultat, pacientët shpenzojnë miliona euro jashtë Kosovës për trajtim, derisa mjekët dhe infermierët po ikin nga Kosova për të punuar jashtë vendit.

Unë si menaxher nuk pres ndonjë përparim të dukshëm, pasi shëndetësia kërkon investim të madh. Në qoftë se Qeveria nuk tregon prioritet, do të vazhdojë avazi i vjetër dhe pacientët do të ikin jashtë Kosovës për trajtim duke derdhur miliona euro jashtë vendit. Por, edhe të çështja e mjekëve dhe infermierëve, duhet të punohet që të ndalet ikja e tyre”, thekson Lenjani.

Elementi i parë që do të ndikonte drejtpërdrejt në përmirësimin e sistemit shëndetësorë, sipas tij, është rregullimi i infrastrukturës, stimulimi i punëtorëve dhe krijimi i kushteve të mira për punë.

Tutje Lenjani thotë se ndonëse ka pasur propozime në Qeverinë e Kosovës për projekte që do të ndikonin në përmirësimin e shërbimit në sistemin shëndetësor, deri më tani nuk ka pasur lëvizje pozitive.

Ai pret që Qeveria e re të përfundojë dy projekte të rëndësishme, ndërtimin e ndërtesës së emergjencës së re dhe njësitin e helikopterëve.

Krahas problemeve tjera, sistemi shëndetësor vazhdon të përballet edhe me mungesa në listën e barnave esenciale, me cilësinë e dobët të shërbimeve shëndetësore dhe me kushte jo të mira brenda institucioneve të shëndetit publik.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG