Ndërlidhjet

Krijimi i institucioneve, peng i interesave të partive politike


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Partitë politike në Kosovë, sidomos tri grupet e mëdha duhet të kenë një konsensus politik ndërmjet vete, në mënyrë që të konstituohen institucionet e reja, të dala nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit, thonë analistët politikë.

Ata thonë kështu, pasi tri herë radhazi kanë dështuar tri seancat konstituive, kurse të hënën, për të katërtën herë, do të mbahet vazhdimi i seancës, ku në rend ditë është zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës.

Tri seancat dështuan pasi deputetët e koalicionit fitues, të përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA për Kosovën, që njihet me shkurtesën PAN, nuk ishin të pranishëm në sallën e Kuvendit për të propozuar kandidatin për kreun e Kuvendit. Ky koalicion ka paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë edhe në seancën e radhës.

Analisti nga Instituti Demokratik i Kosovës, Albert Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se koalicioni PAN po tregohet jo i sinqertë para publikut.

Nëse ky koalicion nuk është i gatshëm të arrijë marrëveshje me partitë tjera politike, atëherë Krasniqi thotë se duhet ta ndërrojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, në mënyrë që të jetë kandidat i pranueshëm për shumicën parlamentare.

Në këtë mënyrë, Krasniqi, konsideron se koalicioni PAN më tepër po përkujdeset për ruajtjen e imazhit politik të Kadri Veselit, se sa për konstituimin e institucioneve.

“Nëse e shohin se në asnjë variant zoti Veseli, nuk po gjen përkrahje, atëherë duhet ta ndryshojnë. Kjo është e papranueshme që të bllokohet procesi, që fati politik i një individi, të mbizotërojë mbi fatin politik të institucioneve të reja. Dhe, në këtë mënyrë, duhet të tregohen të gatshëm që të bëjnë kompromis”, vlerëson Krasniqi.

Kryetari i deritashëm i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili është edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, konsiderohet i papranueshëm që të zgjidhet sërish kryetar i Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja.

Edhe Avni Mazreku, analist i rrethanave politike dhe profesor i së Drejtës Evropiane, duke folur për Radion Evropa e Lirë, konsideron se dialogu ndërmjet partive parlamentare është çelës për krijimin e institucioneve të reja. Në këtë rrafsh, ai shprehet se duhet të ketë një kompromis nacional.

“Faktorët politikë në Kosovë, këta faktorë që janë pjesë e Parlamentit, duhet t’i nënshtrohen një procesi të dialogut të ndërsjellë dhe përmes këtij dialogu, të arrihet në momentet politike që krijojnë zgjidhje për krijimin e institucioneve.Por, veprimet e njëanshme politike të njërit apo krahut tjetër politik, nuk besoj se e zhbllokojnë procesin e konstituimit të institucioneve”, thotë Mazreku.

Ai shton konsideron se për krijimin e institucioneve, nuk duhet të përdoren interesat e ngushta të partive politike.

“Prandaj, unë mendoj se as thirrja e seancës në mënyrë të njëanshme nga kryesuesi i Kuvendit të Kosovës dhe as bllokimi i krahut tjetër politik për mos të biseduar për zgjidhjen e këtij problemi, nuk i hapin rrugë zgjidhjes së problemit”, shton Mazreku.

Në anën tjetër, Albert Krasniqi, shprehet se zvarritja e mëtejme e krijimit të institucioneve dhe thirrja për konsultime shtesë, më nuk ka kanë kuptim. Ai thotë se koalicioni PAN duhet të marrë pjesë në seancën e thirrur për të hënën.

“Pa një konsensus, nuk do të mund të krijohen institucionet, edhe kalimet individuale të deputetëve nuk janë shumë të shëndosha, për shkak se nuk krijojnë stabilitet të qeverisjes dhe po ashtu nuk po jepet një mesazh i mirë pasi këta individë dhe partitë politike, nuk po u qëndrojnë premtimeve elektorale, mbi të cilat i kanë marrë votat që kanë”, thekson Krasniqi.

Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është e domosdoshme për vazhdimin e procedurave tjera të konstituimit të Kuvendit dhe për fillimin e fazës për formimin e Qeverisë së re.

Në bazë të rezultatit të zgjedhjeve, kjo e drejtë i takon koalicionit PAN (PDK, AAK dhe Nisma) si fitues i zgjedhjeve.

Për formimin e Qeverisë janë të nevojshme të paktën 61 vota të deputetëve.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG