Deputetët e Listës Serbe kanë munguar në vazhdimin e seancës
Në vazhdimin e seancës së sotme në Kuvend nuk kanë qenë të pranishëm as deputetët e Listës Serbe.
Kjo e fundit e ka arsyetuar mospraninë në Kuvend, duke thënë se “po u japim hapësirë partive shqiptare që të gjejnë numrin e mjaftueshëm të deputetëve për vazhdimin e punës së Kuvendit”.
Lista Serbe ka thënë se është e gatshme të përfshihet në punën e institucioneve.
Koalicioni PAN me parakushte për zgjidhje në pako
Enver Hoxhaj nga Partia Demokratike e Kosovës, pas takimit konsultativ të shefave të grupeve parlamentare, ka kërkuar të zbatohet rezultati zgjedhor, i cili thotë se koalicioni PAN është fitues dhe ka të drejtë ta propozojë kryetarin e Kuvendit. Megjithatë, ai ka thënë se koalicioni PAN mund të bëj kompromise dhe të mos e propozojë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit.
“Kryetari i PDK-së Veseli ka dalë me propozim se është në gjendje që PDK të dalë me kandidat tjetër me parakushtin nëse Kuvendi e voton Qeverinë e zotit Haradinaj, të koalicionit që ka fituar zgjedhjet”, ka thënë Hoxhaj.
Sipas tij, nuk është arritur ende pajtimi që të caktohet koha e vazhdimit të seancës.
Koalicionin PAN ka kërkuar që të mërkurën e ardhshme të zhvillohet sërish një takimin konsultativ për të caktuar seancën e radhës.
Konjufca: Propozimi i PAN-it, qesharak
Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se tendenca e PAN-it është që ta shtyjë sa më shumë vazhdimin e seancës.
Kjo sipas tij po ndodhë për shkak se koalicioni PAN nuk i ka numrat për ta votuar Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit.
Ai e ka cilësuar qesharak propozimin e koalicionit PAN për zgjidhje në pako, duke thënë se kjo është e papranueshme për Lëvizjen Vetëvendosje.
Hoti: Kërkesa e PAN-it, jologjike
Shefi i Grupit Parlamentar nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se ende nuk ka ndonjë dakordim në nivel të të gjitha partive për vazhdimin e seancës konstituive.
Kurse, sa i përket kërkesës se koalicionit PAN, që në të njëjtën seancë të votohet kryetari i Kuvendit dhe kryeministri, sipas Hotit, kjo nuk ka logjikë politike dhe nuk është në përputhje më normat demokratike.
Facebook Forum