Qeveria e Maqedonisë ka paraqitur në Kuvend propozimin për rishikimin e buxhetit, me të cilin synon të zvogëlojë në masë të madhe harxhimet joproduktive, reklamat qeveritare, shpenzimet për udhëtime jashtë shtetit të zyrtarëve, e të gjitha këto me qëllim realizimin e projekteve të ekzekutivit të ri që drejtohet nga Zoran Zaev.
Sipas propozimit të Ministrisë së Financave, me rishikimin e buxhetit parashikohet që deficiti të mbetet në kuotën e 2.9 për qind të Bruto Prodhimit Vendor, ndërsa rritja ekonomike të sillet në rreth 2.2 për qind, në vend të parashikimit të parë prej 3 për qind. Po ashtu është paraparë shkurtimi i harxhimeve për 48.7 milionë euro, aq sa edhe i investimeve kapitale. Të gjitha projektet tjera infrastrukturore do të realizohen sipas dinamikës së paraparë. Sipas propozimit të financave, të ardhurat janë paraparë në shifrën e rreth 3 miliardë euro kurse shpenzimet në 3.300 miliardë euro.
“Rishikimi është një arsye apo një rast i mirë dhe mundësi për të nisur me realizimin e projektimeve të Qeverisë së re. Buxheti ishte miratuar në tetor të vitit të kaluar, përkundër kundërshtimeve të LSDM-së se buxheti duhet të miratohet nga Qeveria e re, por VMRO-ja nuk mori parasysh vërejtjet tona dhe miratoi buxhetin me projektime sipas interesave të saj politike, dhe jo nevojave të qytetarëve apo interesit shtetëror”, thotë Petre Shilegov nga Lidhja Social Demokrate.
Miratimi rishikimit të buxhetit pritet të zgjas me ditë të tëra, për shkak të qindra amendamenteve që janë paraqitur nga VMRO-DPMNE-ja opozitare. Nga partia e ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski thonë se amendamentet e propozuar nuk janë asgjë tjetër por vazhdimësi e realizimit të politikave ekonomike të Qeverisë së kaluar.
“Deputetët e VMRO-DPMNE-së kanë paraqitur 706 amendamente, 40 prej të cilëve janë amendamente strategjike, për realizimin e projekteve strategjike që kanë filluar të realizohen apo që janë premtuar nga VMRO-ja. Rreth 300 amendamente të tjera kanë të bëjnë me sferën lokale, pra që kanë të bëjnë me realizimin e nevojave të qytetarëve në pushtetin vendor. Grupi i tretë prej më shumë se 300 amendamenteve, ka të bëjnë me të njëjtat amendamente që ishin paraqitur nga LSDM-ja kur ne ishim në pushtet e që tani janë lënë anash. Me këtë duam të denoncojmë premtime e rrejshme të kësaj partie kur ishte në opozitë”, ka deklaruar Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
Nga partitë në pushtet, vetëm Bashkimit Demokratik për Integrim ka paraqitur tri amendamente, e që kanë të bëjnë me rritjen e fondeve për Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, shtëpinë e alfabetit në Manastir dhe një amendament për Qendrën për menaxhim me kriza, që drejtohet nga kuadër i kësaj partie.
Ekspertët nga ana tjetër thonë se rishikimi i buxhetit duhet të jetë një veprim serioz dhe i projektuar mirë dhe jo vetëm se formalitet për të plotësuar ambiciet politike.
“Sigurisht se çështja e rishikimit të buxhetit nuk guxon të jetë vetëm se një formalitet, dhe për më tepër të shkurtohen fondet që kanë të bëjnë me interesin e përgjithshëm, por edhe të shqiptarëve siç ka ndodhur zakonisht. Vlerësoj se me rëndësi është realizimi i projekteve kapitale, mbështetja direkte apo indirekte e sektorit të biznesit në përgjithësi i cili do të siguronte kthimin në binarët e shëndosh të ekonomisë vendore”, thotë Arben Halili, njohës i çështjeve të ekonomisë.