Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ka qenë “nder i madh” për të, për të përfaqësuar SHBA-në në Paradën e Ditës së Bastilles në Paris.
Dita Bastille është festë kombëtare në Francë, ndërsa këtë vit ka përkuar edhe me 100-vjetorin e hyrjes së SHBA-së në Luftën e Parë Botërore.
Në një postim në Twitter, Trump tha se parada e trupave amerikane dhe franceze në Paris ka qenë “madhështore”.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha në anën tjetër se SHBA-në dhe Francën “nuk do t’i ndajë kurrë asgjë”.
“Prania e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe e bashkëshortes së tij janë shenjë e një miqësie që ka vazhuar me kalimin e kohës. Dua t’i falënderoj ata, dua t’i falënderoj Shtetet e Bashkuara për zgjedhjen që kanë bërë 100 vjet më parë”, tha Macron.
Trump dhe Zonja e Parë, Melania, kanë qëndruar dy ditë në Paris.
Të enjten, Trump dhe Macron kanë zhvilluar një takim zyrtar, gjatë të cilit është folur për luftën kundër terrorizmit, marrëveshjen për klimën e të tjera.
Përdorimi i përmbajtjes sonë
⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.
Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.