Ndërlidhjet

Policia apelon te prindërit t’i mbrojnë fëmijët nga qasja në lojën “Balena Blu”


Loja e rrezikshme "Balena Blue" e përhapur në internet
Loja e rrezikshme "Balena Blue" e përhapur në internet

Policia e Kosovës ka tërhequr vërejtjen për rrezikun që paraqet për fëmijët dhe të rinjtë loja e njohur si, “Balena Blu”.

“Sipas informatave të qasshme në internet, është paraqitur dhe po përhapet me shpejtësi një lojë ‘online’, mjaft e rrezikshme për fëmijë, që quhet “Blue Whale Game” apo e njohur si “loja vetëvrasëse”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Kjo lojë, vijon komunikata, me shpejtësi rekorde është duke u shpërndarë në shumë shtete të botës, përfshirë edhe shtetet e Evropës.

"Lajmet për përhapjen e kësaj loje të rrezikshme vetëvrasëse për të rinjtë vijnë duke pasur parasysh vetëvrasjen e rreth 130 të miturve në Rusi (informacione të publikuara në media)”, theksohet në këtë komunikatë.

Fatmirësisht, vijon komunikata, kjo lojë ende nuk ka mbërritur në masë në Republikën e Kosovës apo të paktën Policia e Kosovës nuk ka ndonjë informacion për ndonjë rast të tillë.

“Por, Policia e Kosovës dëshiron të ngritë nivelin e vëmendjes tek të gjithë prindërit për mundësinë potenciale që edhe fëmijët tanë të mund të bien pre e kësaj loje degjeneruese dhe shkatërruese për ta”, thuhet në komunikatë.

Më tutje policia sqaron se loja “Balena Blu” zhvillohet ‘online’, përmes internetit, e cila kryesisht synon të vënë në shënjestër të rinjtë që janë të ndjeshëm duke provuar që t’i shtyjë ata në vetëvrasje.

Kryesisht kjo lojë tek të rinjtë shpërndahet përmes rrjeteve sociale të komunikimit.

Tutje, policia i fton prindërit që të kenë kujdes të shtuar dhe të kenë njohuri se çfarë lojërash luajnë fëmijët e tyre në pajisjet teknologjike, kompjuter, telefona të mençur, tablet e të tjera.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG