Ndërlidhjet

Uashington: Mali i Zi – anëtar i plotfuqishëm i NATO-s


Dushko Markoviq (i dyti djathtas) dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg (në mes), gjatë ceremonisë së sotme në Uashington
Dushko Markoviq (i dyti djathtas) dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg (në mes), gjatë ceremonisë së sotme në Uashington

Mali i Zi zyrtarisht është bërë anëtari i 29-të i NATO-s në një ceremoni të sotme në Uashington.

Kryeministri i këtij vendi, Dushko Markoviq, zyrtarisht e ka dorëzuar të ashtuquajturin instrument të pranimit në këtë ceremoni në Dhomën e Marrëveshjes në Departamentin e Shtetit në Uashington.

“Anëtarësimi në NATO do të thotë stabilitet të vazhdueshëm për ne, me vlerat demokratike evro-atlantike të ngulitura në shoqëri dhe ekonomi, që kanë për qëllim prosperitetin e mëtejshëm”, tha zoti Markoviq.

Nënsekretari amerikan i shtetit për çështje politike, Thomas Shannon, i cili ishte i pranishëm në ceremoni, tha se Mali i Zi kishte shpallur “të drejtën për të zgjedhur hapur aleancat e veta, edhe në kushtet e ballafaqimit me presion të jashtëm të orkestruar”.

Ky anëtarësim u bë në periudhën kur aleanca veri-atlantike, që ishte formuar për ta kundërshtuar agresionin sovjetik, angazhohet për ndaljen e përpjekjeve të Rusisë për ta shtuar ndikimin e vet në pjesën lindore të Evropës.

Mali i Zi më parë ishte aleat i afërt i Rusisë, dhe rrjedhimisht, vendimi për anëtarësim në NATO e ka tmerruar Moskën.

Flamuri i Malit të Zi pasnesër do të valojë në selinë e NATO-s në Bruksel për të parën herë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG