Ndërlidhjet

Pse Afganistani s’arrin t’i mbrojë civilët?


Kabul, 31 maj 2017
Kabul, 31 maj 2017

Si ndodhi që një kamion cisternë, i mbushur me eksplozivë, të depërtojë në një zonë të fortifikuar të kryeqytetit afgan dhe të kryejë sulmin më vdekjeprurës në Kabul që nga pushtimi amerikan, më 2001?

Kështu pyeten shumë afganë, duke i kërkuar qeverisë së tyre shpjegim për hendekun e sigurisë, që rezultoi me së paku 90 veta të vrarë dhe mbi 400 të plagosur.

Shpërthimi i së mërkurës, viktimat e të cilit ishin kryesisht civilë, përfshirë gra dhe fëmijë, ndodhi në orët e mëngjesit në një qark të njohur jozyrtarisht si Zona e Gjelbër. Aty ndodhen ambasada të huaja, zyra e NATO-s dhe pallati presidencial.

Shumë banorë të Kabulit e akuzojnë qeverinë për “siguri shkel e shko”. Kjo e rrit presionin mbi qeverinë e ndarë dhe jopopullore të presidentit Ashraf Ghani, i cili është përballur me kritika për trajtimin e kryengritjes talibane.

“Ky sulm vetëvrasës ka shkaktuar dëme të mëdha. Shihni këtu, banesa e dikujt, dyqani i dikujt, ka edhe spitale. Zyrtarët rrinë të sigurt në zyrat e tyre dhe nuk pyesin se çfarë ndodh këtu. Çfarë duhet të bëjmë ne? Të ikim nga vendi apo t’i durojmë bombat mbi trupat tanë”, tha një banor i Kabulit.

Shpërthim i fuqishëm në Kabul
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:27 0:00

Shpërthimi pasoi një riorganizim të agjencive të sigurisë në Afganistan, që u shkaktua nga dhuna në rritje. Më 21 prill, talibanët sulmuan një kompleks ushtarak në provincën Balkh, duke vrarë mbi 140 ushtarë.

Sulmi i së mërkurës ndodhi në qarkun Vazir Akbar Khan, që konsiderohet si më i sigurti në Kabul. Ambasadat e huaja mbrohen nga dhjetëra mure të larta, ndërsa zyrat e qeverisë ruhen nga policë dhe forca të sigurisë. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm saqë la një gropë të madhe para ambasadës gjermane. Dritaret e ndërtesave dy kilometra larg janë thyer.

Përgjegjësinë për sulmin nuk e ka marrë askush, ndonëse një seri sulmesh në Kabul, gjatë vitit të kaluar, janë kryer ose nga militantët talibanë ose nga ata të Shtetit Islamik.

Provinca Kabul ka numrin më të madh të viktimave në Afganistan gjatë tre muajve të parë të vitit 2017.

“Shpërthimi i së mërkurës ka qenë një akt i tmerrshëm i dhunës dhe përkujtues i çmimit që civilët afganë vazhdojnë të paguajnë në një konflikt, ku grupet e armatosura i godasin qëllimisht, ndërsa qeveria dështon t’i mbrojë”, tha organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Amnesty International.

Në mars, persona të armatosur, të veshur si staf mjekësor, sulmuan një spital në Kabul, duke vrarë mbi 50 veta dhe plagosur dhjetëra të tjerë.

Korrikun e kaluar, sulmuesit vetëvrasës sulmuan një demonstratë në kryeqytetin afgan, duke vrarë 84 veta dhe plagosur mbi 230 të tjerë.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG