Ndërlidhjet

Putin dhe Trump i fajësojnë demokratët amerikanë


Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dje i kanë hedhur poshtë akuzat për përzierjen ruse në fushatën zgjedhore amerikane të vitit të kaluar, duke e vlerësuar si “fiksion” ose “lajm të rrejshëm” të krijuar nga demokratët për ta arsyetuar humbjen e tyre në zgjedhje.

Në një intervistë për të përditshmen franceze, Le Figaro, Putin përsëri i ka kundërshtuar akuzat për involvim rus në sulmet kibernetike kundër emailave të Komitetit Kombëtar Demokratik, që pastaj kanë rrjedhur dhe u treguan se e dëmtuan kandidaten demokrate për presidente, Hillary Clinton.

Putin ka vlerësuar se akuzat kanë dalur për shkak të “dëshirës së atyre që humbën në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara, që ta përmirësojnë pozicionin e tyre”.

“Ata dëshirojnë të shpejgojnë për vetvete dhe ta dëshmojnë te të tjerët se ata nuk kanë asgjë të përbashkët me këtë gjë, se politika e tyre ishte e drejtë. Se ata kanë bërë çdo gjë ashtu siç duhet, por dikush nga jashtë i mashtroi ata”, tha Vladimir Putin dhe ka shtuar se “nuk është kështu, ata thjesht humbën dhe ata duhet ta pranojnë këtë”.

Putin ka pretenduar se demokratët e Shteteve të Bashkuara e kishin krijuar atë që ai e cilësoi si “fiksion” për Rusinë, pasi ata “e urrejnë ta pranojnë se ata me të vërtetë humbën, pasi personi që fitoi ishte më afër popullit dhe më mirë e puntonte atë që dëshiron populli”.

Para tij, po të njejtën ditë, presidenti amerikan, Donald Trump, ka shkruar në rrjetin Twitter se zyrtarët rusë “duhet të qeshin me Shtetet e Bashkuara dhe se si arsyetimet e gabuara për shkakun e disfatës së demokratëve në zgjedhje, janë shndërruar në lajm të rrejshëm”.

Zoti Trump, shpeshherë, mediave të pavarura u referohet me shprehjen “lajme të rrejshme”.

Por, pjesa më e madhe e raporteve të mediave ishin të fokusuara në konkludimet e agjencive të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara, të publikuara në muajin janar të këtij viti, se Putin kishte urdhëruar një “fushatë ndikuese” që synonte ta shkatërronte besimin në sistemin zgjedhor amerikan dhe ta diskreditonte zonjën Clinton.

Në konkludim theksohej se Rusia kishte zhvilluar preferencë të qartë për zotin Trump.

Më herët këtë muaj, Departamenti amerikan i drejtësisë, e ka emëruar një hetues special për këto akuza dhe nëse ndihmësit e fushatës së zotit Trump, ndoshta kanë mundur fshehtas të merren vesh me Rusinë gjatë fushatës dhe pas saj.

Shpresat e Putinit për një periudhë të re të marrëdhënieve më të mira nën Trumpin janë shkatërruar nga hetimet dhe vëmendja, që po i kushtohet kësaj çështjeje në Shtetet e Bashkuara.

Në intervistën për gazetën Le Figaro, Putin tha se akuzat për përzierje të drejtuara kundër Rusinë i kanë destabilizuar punët ndërkombëtare.

Ai ka argumentuar se përpjekja për të ndikuar në votimin e Shteteve të Bashkuara nuk ka kuptim për Moskën, pasi përfundimisht, bile edhe një president i fuqishëm nuk mund ta kapërcej paragjykimin e strukturës udhëheqëse në Uashington kundër Rusisë.

“Rusia kurrë nuk është angazhuar në këtë, ne nuk na nevojitet kjo” sepse “presidentët vijnë e shkojnë, por politikat nuk ndryshojnë”, tha Putin dhe e ka shtruar pyetjen: A e dini përse?

“Sepse fuqia e burokracisë është shumë e fortë”, është përgjegjur Putin.

“Kjo është ajo që ndodh në secilën administratë. Ndryshimi i gjërave nuk është i lehtë dhe këtë e them pa kurrfarë ironie. Nuk është që dikush nuk e dëshiron atë, por është gjë e vështirë të bëhet”, tha Putin.

Lideri rus, Vladimir Putin, mëtutje tha se pajtohet me deklaratën e Trumpit, që e kishte bërë gjatë fushatës, se çdokush ka mundur të ketë pasur dorë në sulmet kibernetike kundër emailave të demokratëve, e jo vetëm Rusia.

Gjatë një debati presidencial në muajin shtator të vitit të kaluar, zoti Trump pat vlerësuar se “mund të jetë Rusia, mund të jetë Kina, po ashtu, mund të jenë shumë njerëz”.

Në muajin janar, megjithatë një zyrtar i fushatës Trump i cili do të bëhej shef i kabinetit të presidentit, tha se Trump “e pranon faktin” se “entitetet në Rusi” ishin prapa depërtimeve në organizatën e Partisë Demokratike.

Putin i tha gazetës Le Figaro se beson se interesimi në Uashington për hetimin e lidhjeve ndërmjet Trumpit dhe Rusisë përfundimisht do të zbehet, dhe kjo do të mundësoj raporte më të mira ndërmmjet dy vendeve.

“Kjo do të kaloj, çdo gjë kalon”, tha Putin, dhe ka shtuar se “është optimist i kujdesshëm dhe mendon se ne duhet të jemi në gjendje të arrijmë marrëveshje për çështjet kryesore”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG