Kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiq e ka drejtuar në parlament dorëheqjen e tij nga posti i kryeministrit, për t’i dhënë rrugë inaugurimit të tij si president.
Ligjëvënesit pritet të konfirmojnë vendimin gjatë ditës së sotme përpara se Vuçiq të bëjë betimin nesër në orën 12:00.
Vuçiq ka fituar zgjedhjet presidenciale në raundin e parë më 2 prill, afër një vit pasi Partia Progresive Serbe fitoi zgjedhjet.
Vuçiq ka forcuar kontrollin e tij në pushtet dhe ai e konsideron veten reformator në rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Disa kritikë kanë paralajmëruar se kontrolli i Partisë Progresive Serbe mbi tërë fuqinë legjislative dhe qeverisëse mund të shtyjë Serbinë drejt një autokracie.