Ndërlidhjet

Zgjedhjet e shpeshta, zbehin premtimet për zbutjen e papunësisë


Prishtinë
Prishtinë

Zgjedhjet e shpeshta në Kosovë po i dëmtojnë projektet që kanë për qëllim gjenerimin e vendeve të reja të punës, thonë përfaqësues të shoqatave ekonomike në vend.

Mungesa e stabilitetit qeverisës dhe proceset e shpeshta të zgjedhjeve të parakohshme, sipas tyre, i lënë të pazbatueshme projektet nga fusha e zhvillimit ekonomik, të cilat kryesisht bazohen mbi strategji afatgjate.

Kjo situatë jostabile politik,e që po e përcjell vendin për vite më radhë, thonë ekspertë të ekonomisë, po pamundëson edhe krijimin e vendeve të reja të punës nga investitorët potencialë, të cilët do të mund ta shtrinin kapitalin e tyre në Kosovë.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se situata politike në të cilën po kalon Kosova nuk është aspak në favor të gjenerimit të vendeve të reja të punës.

Organizimi i zgjedhjeve të parakohshme ndërprenë disa prej projekteve të cilat, Qeveria apo dikasteret e caktuara ministrore kanë qenë të përfshirë. Për investitorët e huaj ky është një tregues i mungesës së stabilitetit politik që e rritë pasigurinë politike dhe është një faktor i rëndësishëm në marrjen e vendimeve për investime”.

Derisa investitorët e brendshëm mund t’i kenë të njohura arsyet e mbajtjes së zgjedhjeve të tilla, për investitorët e huaj mbajtja e zgjedhjeve në periudha kaq të shpeshta, dy-tri vjeçare, mund të sugjerojë për një mungesë stabiliteti dhe një rreziku më të madh”, thekson Zeka.

Kosova që prej shpalljes së pavarësisë së saj, më 2008, nuk ka pasur një Qeveri të qëndrueshme që ka përmbyllur mandatin kushtetues prej katër vjetësh.

Të gjitha qeveritë, gjatë viteve që nga pavarësia janë shtrënguar në dorëheqje nga mocionet e ngritura në Kuvend.

Papunësia, sipas drejtorit ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka vazhdon të mbetet një nga problemet më të mëdha që poe përcjell shoqërinë kosovare viteve të fundit.

Në bazë të një ankete rreth fuqisë punëtorë të tremujorit të katërt të vitit 2016, papunësia në Kosovë është 28.7 për qind.

Qeveria e kaluar, pavarësisht përpjekjeve për të mbajtur një normë pozitive të rritjes ekonomike, ka dështuar që të ketë një dinamizëm më të madh në rritjen ekonomike dhe rrjedhimisht të krijojë vende më shumë të punës, pavarësisht premtimeve të mëdha që janë dhënë në fushatën e vitit 2014. Kanë qenë vazhdimisht temat politike që kanë dominuar agjendën e vendimmarrjes”, ka theksuar Zeka.

Koalicioni qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, e cila pati filluar mandatin qeverisës afër tri vjet më parë, kishte premtuar mbi 120 mijë vende pune brenda një mandati katër vjeçar, por, jo të gjitha këto vende pune ishin realizuar.

Në programin e Qeverisë së Kosovës 2015-2018, ishte paraparë që gjeneratori kryesor i rritjes ekonomike dhe vendeve të punës të jetë sektori privat, në veçanti ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Por, për ish-kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës Ismail Kastrati, premtimet e dhëna për punësim nuk ishin reale, prandaj edhe realizmi i tyre ishte vështirë i mundshëm.

As çerekun e premtimeve nuk i kanë realizuar në aspektin e punësimit. Papunësia mund të zvogëlohet vetëm nëse zhvillimi ekonomik është diku 7 – 8 për qind. Ne kemi pasur rritje ekonomike çdo herë nën 4 për qind dhe ajo nuk ka siguruar një punësim të rritur apo një mundësi të zvogëlimit të papunësisë”, thekson Kastrati.

Ndryshe, supozohet se çdo vit në tregun e punës në Kosovë janë aktivë për t’u punësuar 25 deri në 30 mijë persona, të gjithë të gjeneratës 18 vjeç e më lartë, derisa po ky treg mund të absorbojë nga 4 deri në 6 mijë punëtorë në vit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG