Ndërlidhjet

Zhvillimi ekonomik gjatë qeverisjes PDK-LDK


Foto ilustruse (@Shutterstock)
Foto ilustruse (@Shutterstock)

Zhvillimi ekonomik në Kosovë, gjatë qeverisjes së fundit nga partnerët e koalicionit: Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, është thënë se ka shënuar përmirësim.

Jo rrallë është dëgjuar për rritje ekonomike, ulje të shkallës së papunësisë, miratim ligjesh për sigurinë e investitorëve të huaj, rritje të buxhetit e përmirësim të mirëqenies sociale.

Por, që prej shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilave u ka paraprirë një mocion mosbesimi ndaj qeverisë së kryeministrit në largim, Isa Mustafa - mocion ky i ngritur nga partitë opozitare dhe i mbështetur nga partneri në koalicionin qeverisës, PDK - rezultatet e përmendura në ekonomi kanë filluar të ndryshojnë, të paktën sipas Partisë Demokratike.

Një postim i kryeministrit në largim, Isa Mustafa, në Facebook, më 12 maj:

Përderisa Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon t’i numërojë të arriturat ekonomike gjatë qeverisjes, anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës thonë se në Qeverinë Mustafa ka munguar fuqia e vendimmarrjes.

Besim Beqaj, nga kjo parti, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka pritur që gjatë kësaj qeverisjeje të përmirësohen kushtet e sektori privat, ambienti për investitorë të huaj, të ketë rritje të shkallës së punësimit, pushime tatimore dhe në përgjithësi zhvillim ekonomik, pasi, siç thotë ai, programi qeverisës ka qenë i përmbushur me projekte.

“Të gjitha këto që po i them, kanë qenë suksese potenciale, të cilat i kemi pritur edhe ne si koalicion, por për të cilat ka rezultuar se nuk ka fuqi të vendimmarrjes. Andaj, ka ardhur deri te shkëputja e bashkëpunimit në mes të dy partive dhe kthimi i besimit të sovranit, te qytetari i Kosovës”, thotë Beqaj.

Përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës thonë se Qeveria e Kosovës, nën udhëheqjen e zotit Mustafa, ka bërë kthesë të rëndësishme pozitive në aspektin ekonomik.

Muhamet Mustafa, nga kjo parti, thotë se rezultatet nuk kanë munguar, përkundër një situate të ashpër politike “me një luftë primitive politike për pushtet”.

“Kemi arritur të dinamizojmë zhvillimin ekonomik apo rritjen ekonomike prej 2 -3% në vite të caktuara... Kemi arritur që me pakon fiskale të përmirësojmë gjendjen e bizneseve në Kosovë. Janë rritur investimet vendore dhe ndërkombëtare. Buxheti është konsoliduar. Dhe, ajo që është me rëndësi, kjo qeveri ka mbuluar një borxh prej 140 milionë eurosh”, thotë Mustafa.

Zgjedhjet e parakohshme ia ndalin ‘hovin’ zhvillimit ekonomik

Por, Besim Beqaj thotë se këto rezultate janë arritur duke u bazuar në dokumentacionin e hartuar gjatë, siç shprehet ai, “Qeverisë Thaçi 2” .

Qeveria "Thaçi 2" është krijuar pas zgjedhjeve të vitit 2010, me koalicion midis Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re.

“Kemi pritur se Qeveria Mustafa në mënyrë profesionale do t’i qaset vazhdimit të reformës dhe vendimeve që do të bëjnë ‘bum’ në ekonomi. Por, realisht ka dalë që, tërë kohën, qeveria ka punuar mbi bazën e dokumenteve, të cilat janë hartuar dhe analizuar në Qeverinë Thaçi 2 dhe ka munguar vendimmarrja“, thotë Beqaj.

Muhamet Mustafa, nga LDK-ja, e quan këtë retorikë boshe dhe thotë se gjatë kësaj qeverisjeje janë adresuar shumë çështje, të cilat as që janë përmendur në qeverisjen Thaçi 2.

“Retorikë e paargumentuar, në mënyrë që të krijohet një pretekst që gjoja duhet të bie qeveria. Natyrisht që ata (PDK) nuk kanë asnjë argument t’i arsyetojnë këto thënie”, shprehet Mustafa.

Zhvillimi ekonomik në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008, ka qenë një nga çështjet kryesore me të cilat janë marrë partitë politike, veçanërisht në periudhë zgjedhjesh.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG