Departamenti amerikan i Drejtësisë emëroi ish-drejtorin e FBI-së, Robert Mueller, si këshilltar të posaçëm për mbikëqyrjen e hetimeve për marrëveshje të mundshme midis bashkëpunëtorëve të presidentit amerikan, Donald Trump, dhe Rusisë.
Ky veprim, i cili u mirëprit edhe nga demokratët, edhe nga republikanët në Kongres, erdhi pas rritjes së kërkesave për hetime të pavarura të dyshimeve se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016, në favor të zgjedhjes së Trumpit president.
Zëvendësi i prokurorit të përgjithshëm të SHBA-së, Rod Rosenstein, tha se ka vendosur të emërojë një këshilltar të posaçëm jo sepse ai beson se “janë kryer krime”, porse beson se “këshilltari i posaçëm është i nevojshëm, në mënyrë që populli amerikan të ketë besim të plotë në rezultatin e hetimeve”.
“Interesi publik kërkon nga unë që t’i vendos hetimet nën autoritetein e një personi, i cili ushtron një shkallë pavarësie nga zinxhiri normal komandues”, tha Rosenstein.
Një këshilltar i posaçëm konsiderohet i pavarur, sepse ai ka autoritetin për të kryer hetime me staf të zgjedhur nga ai dhe pa konsultuar ose informuar Departamentin e Drejtësisë ose Shtëpinë e Bardhë për rrjedhën e hetimeve të tij. Këshilltari i posaçëm po ashtu është i autorizuar të ndjekë penalisht çdo krim të zbuluar nga hetimet e tij.
Dyshimet që Shtëpia e Bardhë mund të ketë bërë përpjekje të ndikojë hetimet e Departamentit të Drejtësisë për çështjen ruse, janë ngritur pasi presidenti Trump ka shkarkuar drejtorin e FBI-së, James Comey, një javë më parë.
Dyshime të tjera janë ngritur më 16 maj, pas raporteve se Trump i ka kërkuar Comeyt të përfundojë hetimet mbi ish-këshilltarin e tij për siguri kombëtare, Michael Flynn. Flynn ka dhënë dorëheqje në muajin shkurt, pasi ka keqinformuar nënpresidentin për kontaktet e tij me zyrtarët rusë.
Disa kongresistë kanë thënë se nëse Trump ka kërkuar ndërprerjen e hetimeve për Flynnin, ai mund të ketë penguar drejtësinë – gjë që është vepër penale në SHBA.
Pas emërimit të këshilltarit të posaçëm, Trump ka lëshuar një deklaratë, duke thënë se nuk ka lidhje të dyshuara midis Rusisë dhe bashkëpunëtorëve të tij.
“Një hetim i plotë do të konfirmojë atë që e dimë tashmë: nuk ka pasur asnjë bashkëpunim midis fushatës sime dhe ndonjë entiteti të huaj. Pres që kjo çështje të përfundojë shpejt”, tha Trump.
Më herët, Trump kritikoi mbulimin mediatik të çështjes ruse, duke thënë se “asnjë politikan në histori nuk është trajtuar më keq apo më padrejtësisht se ai”.