Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka marrë vendim që zgjedhjet e ardhshme, të parakohshme në Kosovë të mbahen më 11 qershor.
Vendimin e tij, Thaçi e ka marrë pas një takimi konsultativ me përfaqësuesit e partive politike.Shumica e partive politike kanë favorizuar datën 11 qershor, ndërkaq kishte edhe propozime që zgjedhjet të mbahen më 18 qershor.
Megjithatë, në fund, Thaçi, ka konfirmuar kabineti i tij, ka marrë vendim që data të jetë 11 qershori.
Diskutimet për datën e zgjedhjeve, pasuan vendimin e Presidentit, Hashim Thaçi për shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës, që u mor pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë.
Në takimin e thirrur nga Thaçi, nuk mori pjesë vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila pas votimit të mocionit për rrëzimin e qeverisë nga ana e Partisë Demokratike të Kosovës, është deklaruar se nuk e njeh më Thaçin si president të vendit.
Sidoqoftë, Presidenti Thaçi ka vazhduar me agjendën. Ai kërkoi që procesi i ardhshëm zgjedhor të dëshmoj ëkulturë të lartë politike e demokratike.
Thaçi tha se do t’i drejtohet Bashkimit Evropian për të dërguar vëzhgues të zgjedhjeve, në mënyrë që i gjithë procesi të jetë transparent, demokratik, i drejtë dhe i pranueshëm për të gjithë.
“Mundësisht sa më shumë vëzhgues të vijnë në Kosovë si dhe të kemi një pjesëmarrje edhe të organizatave joqeveritare, pjesëmarrje të medieve, të vëzhguesve ndërkombëtar, në mënyrë që të jetë një proces i besueshëm, respektabil, dhe i pranueshëm nga i gjithë spektri politik kosovar, faktori ndërkombëtar, por para së gjithash te jepet edhe një provim i ri i shtetit të Kosovës në demokracinë e re”, ka thënë Thaçi.
Ndërkaq, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha se pret bashkëpunim me të gjitha subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhje, ne mënyrë që i gjithë procesi të ecën mbarë dhe në harmoni me ligjet dhe Kushtetutën.
“I ftoj subjektet politike dhe përfaqësuesit e tyre që t’i respektojnë Kushtetutën, Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe të gjitha rregullat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, ka theksuar Daka.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare pasuan mocionin e mosbesimit për qeverinë, të votuar nga shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Ky mocion, ishte mbështetur edhe Partia Demokratike e Kosovës, e cila aktualisht është në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës, në qeverinë në largim. (REL)