Ndërlidhjet

Trump shkarkon drejtorin e FBI-së, James Comey


Presidenti amerikan, Donald Trump, shkarkoi drejtorin e FBI-së, James Comey, duke theksuar se ai nuk mund të drejtojë më tutje këtë agjenci në mënyrë efektive.

"Është esenciale që të gjejmë një udhëheqje të re për FBI-në që të rivendosë besimin e publikut", thuhet mes tjerash në një letër që presidenti Trump i dërgoi zotit Comey, e cila u bë publike të martën vonë nga Shtëpia e Bardhë.

"Presidenti ka pranuar rekomandimin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe të Zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm lidhur me shkarkimin e drejtorit të FBI-së," tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer.

Letra e shkarkimit të drejtorit të FBI-së, James Comey
Letra e shkarkimit të drejtorit të FBI-së, James Comey

Të martën, FBI-ja njoftoi Kongresin se Comey kishte paraqitur në mënyrë të pasaktë disa nga gjetjet që përfshinin hetimet rreth emaileve të zonjës Hillary Clinton gjatë dëshmisë së dhënë prej tij në Kongres javën e kaluar.

FBI-ja saktësoi se vetëm një "numër i vogël" i emailave i ishte dërguar ligjvënësit Anthony Weiner, jo "qindra dhe mijëra ", siç ishte shprehur në dëshminë e tij zoti Comey.

Letra e FBI-së iu dërgua Komisionit Juridik të Senatit të martën, më shumë se një javë pasi zoti Comey dëshmoi për orë të tëra në mbrojtje të mënyrës se si e kishte trajtuar hetimin e emailave të zonjës Clinton.

Zoti Comey luajti një rol të rëndësishëm në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, kur zoti Trump mundi zonjën Clinton.

Zoti Comey tha në muajin korrik të vitit të kaluar se zonja Clinton kishte qenë “e pa kujdesshme” në përdorimin e informacioneve të klasifikuara, por nuk kishte bazë për akuzë.

Më pas në muajin tetor pak para zgjedhjeve, ai tha se kishte rihapur hetimet, meqë FBI kishte gjetur emaile të zonjës Clinton në kompjuterin e ligjvënësit Anthony Weiner.

Zonja Clinton fajësoi hetimet e zotit Comey si njërin nga shkaqet që ajo humbi në zgjedhjet e tetë nëntorit të vitit të kaluar.

Demokratët në SHBA kanë kritikuar Comey për njoftimin për rihapjen e hetimeve ndaj Clinton, vetëm disa ditë para zgjedhjeve të 8 nëntorit- një lëvizje, për të cilën Clinton ka thënë se i ka kthyer kundër saj shumë votues të pavendosur. Por demokratët në Kongres, pothuajse njëzëri kanë kundërshtuar vendimin e presidentit për të shkarkuar Comey.

Vendimi i Trumpit për shkarkimin e shefit të FBI-së ka habitur shumë zyrtarë në Uashington, duke bërë që demokratët dhe të tjerët, të drejtojnë akuza ndajShtëpisë së Bardhë se po tenton që të minojë hetimin e FBI-së për ndërhyrjen e Rusisë.

Senatori Ben Cardin nga Merilendi, një zyrtar i lartë demokrat në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit, ka thënë se shkarkimi i Comey ishte “e papranueshme- edhe për atë”.

Kjo është dëshmia më e madhe se pse na duhet një komision i pavarur për të hetuar ndërhyrjen ruse në zgjedhje”, ka thënë Cardin në një deklaratë. “Ne gjithashtu na duhet një prokuror special, që të përfundojë hetimin e nisur kriminal, tash kur presidenti ka minuar integritetin e hetimit të FBI-së”, ka thënë ai.

Në janar, komuniteti i inteligjencës amerikane ka publikuar një vlerësim ku akuzonte presidentin rus, Vladimir Putin, për urdhërimin e një “fushate ndikimi”, që kërkonte të minojë besimin në sistemin zgjedhor në SHBA dhe të denigrojë kandidaten demokrate për presidente, Hillary Clinton. Aty thuhej se Rusia ka një preferencë të qartë për Trumpin.

Teksa Comey ka dëshmuar disa ditë më parë për hetimin që po kryen FBI-ja për përpjekjet e Rusisë për të ndihmuar Trumpin që të zgjidhet president, senatori Patrick Leahy ka thënë se veprimi i Trumpit për ta shkarkuar drejtorin e FBI-së, i sjell atij kujtime të presidentit Richard Nixon i cili kishte shkarkuar prokurorin e Përgjithshëm, në mes të hetimeve për Watergate.

Kjo nuk është asgjë më shumë se Nixoniane”, ka thënë Leahy.

Lideri i demokratëve në Senat, Charles Schumer nga shteti i Nju Jorkut, ka thënë se ai i kishte thënë Trumpit se është “gabim i madh” nëse shkarkon Comey.

"Presidenti Trump më ka thirrur dhe më ka informuar se ai do ta shkarkonte drejtorin Comey. I kam thënë presidentit se me gjithë respektin, ju jeni duke bërë një gabim të madh”.

Ne e dimë se Dhoma e Përfaqësueve është duke hetuar ndërhyrjen ruse në zgjedhjet tona me qëllim që të përfitonte Trump. Ne e dimë se Senati po ashtu është duke hetuar. Ne e dimë se FBI është duke shikuar nëse fushata Trump ka bashkëpunuar me rusët, që janë akuza shumë të rënda. Mos këto hetime ishin afruar shumë presidentit?”, ka pyetur Schumer.

Schumer ka bërë thirrje që një prokuror special të udhëheq hetimet për përfshirjen e Rusisë në zgjedhje.

Këtë gjë e kanë mbështetur shumica e demokratëve, duke thënë se Shtëpia e Bardhë nuk mund të jetë e besueshme se do të caktojë dikë në këtë pozitë, i cili do të jetë i pavarur.

Të paktën një republikan- senatori John McCain është pajtuar se një “komiteti i posaçëm”, duket të marrë përsipër hetimet për Rusinë.

Por republikanët e tjerë në Kongres duket se janë më mbështetës ndaj vendimit të Trumpit, teksa lideri i Shumicës në Senat, Mitch McConnell ka premtuar se shumë shpejt do të gjendet zëvendësim për Comey.

Republikania nga Mein, Susan Collins, ka thënë se shkarkimi i drejtorit të FBI-së nuk do të ketë ndikim në hetimin për ndërhyrjen ruse.

Absolutisht nuk do të ketë impakt mbi të gjitha hetimet që ne në komitetetet e inteligjencës jemi duke zhvilluar. Ne kemi bërë progres në hetime javët e fundit dhe do të vazhdojmë dhe do shohim se ku do të na çojmë provat”, ka thënë ajo.

Comey, 56-vjeçar, është shefi i dytë i FBI-së, në historinë e SHBA-së që është shkarkuar. Drejtorët e FBI-së, normalisht zgjidhen për të shërbyer një mandat të vetëm 10-vjeçar.

Ai ishte emëruar në këtë post, katër vjetë më parë nga ish-presidenti Barack Obama dhe kishte qenë mjaft popullor brenda agjencisë dhe kishte gëzuar mbështetjen e republikanëve dhe demorkatëve. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG