Ndërlidhjet

Rasti i Kumanovës - shkaqet e konfliktit mbeten enigmë 


Edhe dy vjet pas ngjarjeve të 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në Lagjen e Trimave në Kumanovë, mbeten enigmat se çfarë në të vërtetë ndodhi në këtë zonë urbane të këtij qyteti, ku nga luftimet e ashpra mes forcave policore dhe një grupi të armatosur që prezantohej si Ushtria Çlirimtare Kombëtare mbeten të vrarë 18 persona, 8 policë dhe 10 anëtarë të grupit të armatosur.

Një numër prej 37 personash u arrestuan, shumica shtetas të Kosovës, të cilët po gjykohen për terrorizëm.

Drejtuesit e grupit, tashmë të vrarë, por edhe ata që po gjykohen, në dëshmitë e tyre kanë thënë se qëllimi i tyre nuk ka qenë nxitja e ndonjë konflikti të armatosur, por tërheqja e vërejtjes institucioneve shtetërore për mos realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.

Lideri i Lidhjes Social-Demokrate Zoran Zaev, kandidat për kryeministër disa herë ka premtuar se do të angazhohet për zbardhjen e plotë të asaj që ka ndodhur në këtë lagje të Kumanovës të banuar me popullatë shqiptare e që rrezikonte përfshirjen e Maqedonisë në një konflikt të rëndë ndëretnik.

Por, nga ana tjetër, VMRO DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit e cila akuzohet për përfshirjen e strukturave të saj në këtë incident të armatosur ka akuzuar LSDM-në për siç thuhet mbajtjen e anës së atyre që kishin sulmuar vendin.

“Oliver Spasovski, ish Ministër i Punëve të Brendshme dhe Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së, në vend se të brengoset për ata që po viktimizoheshin për Maqedoninë, ata shkuan dhe u fotografuan në vendin ku u vranë heronjtë maqedonas”, ka deklaruar Orce Gjeorgjievski nga VMRO DPMNE-ja.

Avokati Naser Raufi, beson se elementë të shërbimeve të caktuara sekrete janë infiltruar dhe kanë nxitur konfliktin e armatosur për shpërqendrimin e vëmendjes nga afera e përgjimeve që po trondiste Maqedonisë.

“Mendoj se me dëshmitë edhe të personave tjerë që i kemi propozuar do të dëshmojmë se këta ta akuzuar janë sakrificë e skenarit të huaj, janë të manipuluar. Kauza kombëtare ka qenë i vetmi motiv për ardhjen e tyre këtu, s’ka asnjë motiv tjetër, prandaj mendoj se nuk mund të flitet për akuzën e terrorizmit”, thotë Raufi.

Edhe avokatja Artene Iseni, vlerëson se në këtë rast ka gisht politika dhe se kjo sipas saj është vërtetuar nga dëshmitë e të arrestuarve gjatë 50 seancave gjyqësore që janë zhvilluar deri më tani.

“Në bazë të këtyre deklaratave ekziston dyshimi i bazuar, prezumimi i fajësisë së shumë personave përgjegjës të institucioneve të cilët duhet të vijnë dhe të shfajësohen apo edhe të fajësohen apo të dëshmohet fajësia e tyre qoftë për veprim apo mosveprim në këtë rast”, thotë Iseni.

Në mesin e të vrarëve janë edhe dy ish komandantë të njohur të Ushtrive Çlirimtare në Kosovë e Maqedoni, Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj. Ata sipas dëshmive të prezantuara nga pala mbrojtëse e të arrestuarve të tjerë, janë ekzekutuar nga policia pas dorëzimit edhe pse autopsia e bërë në Shkup kishte dëshmuar të kundërtën.

Avokati Naser Raufi, disa herë ka përsëritur qëndrimin se ata janë ekzekutuar për të mos u zbuluar motivet kryesore të ngjarjeve në Kumanovë si dhe përfshirjen e shërbimit sekret në këtë rast. Nga Ministria e brendshme veprën e kishin cilësuar si terrorizëm dhe agresion nga jashtë.

Nga ana tjetër, lagja e Trimave e cila para dy viteve ishte bërë arenë e luftimeve të ashpra, i është kthyer normalitetit, por banorët ende jetojnë me trauma të cilët besojnë se vështirë do të hiqen nga memoria e tyre.

“Fëmijët kanë pasoja dhe vazhdimisht përmendin atë që kanë ndodhur këtu pasi shumë prej tyre kanë qenë këtu dhe më sytë e vet kanë parë atë që ka ndodhur. Kanë pasoja, kanë trauma edhe unë kam qenë këtu për 14 orë dhe normal se edhe unë kam trauma e lëre më fëmijët të cilët asnjëherë nuk do ta harrojnë atë që na ka ndodhur”, thotë një banor i Lagjes së Trimave.

Nga luftimet e dyditore në këtë lagje të Kumanovës ishin dëmtuar apo shkatërruar dhjetëra shtëpi e prona tjera të banorëve të cilat janë rindërtuar me ndihma të shumta dhe fonde të akorduara nga qeveria. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG