Ndërlidhjet

Demarkacioni pas mocionit


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Qeveria e Kosovës ka shtyrë procedimin në Kuvend të Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Në një komunikatë për media, thuhet se pas diskutimeve të partnerëve të koalicionit qeverisës PDK-LDK, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u arrit dakordimi që mbledhja e kabinetit qeveritar ku do të shqyrtohet Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, të mbahet pas seancës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, që do të zhvillohet të mërkurën.

“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh përkushtimin e saj të plotë, që në bashkëpunim të ngushtë me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, SHBA-të dhe BE-në, të adresojë me prioritet dhe përkushtim të plotë çështjen e Ratifikimit të Kufirit Shtetëror me Malin e Zi, si një prej vendimeve më të rëndësishme për të ardhmen e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës”, theksohet në komunikatë.

Marrëveshja ishte paralajmëruar të dërgohet për ratifikim në Kuvend, në javën kur ligjvënësit pritet të votojnë mocionin e opozitës për rrëzimin e qeverisë aktuale.

Reportazh nga Kuçishta
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:38 0:00

Marrëveshja për demarkacionin po kundërshtohet ashpër nga opozita si dhe një numër i deputetëve nga partitë në pushtet, me pretendimet se nëse ratifikohet si e tillë, përmes saj Kosova do të humbte mbi 8 mijë hektarë tokë.

Paqartësitë e krijuara rreth demarkacionit, por edhe rënies eventuale të qeverisë aktuale, i ka komentuar edhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, njëherësh kryetar i Kuvendit të Kosovës.

“Është evidente mungesa e vendim-marrjes. Liberalizimi i vizave është bllokuar, ndërsa punësimi vazhdon të jetë problemi kryesor në vend. Sot, vazhdojmë të jemi shteti i vetëm në rajon pa liberalizim të vizave”, ka shkruar Veseli në Facebook.

“Kosova është në prag të 18 vjetorit të çlirimit, dhe ende pa i mbushur 10 vjet pavarësi, është në rrugë të drejtë, por ende larg asaj që meriton dhe ka mundësi. Nuk mund të arsyetohemi më tutje se jemi ende të rinj si shtet. Ka kaluar koha e frazave dhe deklaratave që tingëllojnë bukur. Është koha për punë konkrete”, ka nënvizuar Veseli.

Sipas tij, ka ankesa dhe pakënaqësi të qytetarëve, ndaj të cilave liderët politik nuk guxojnë të tregohen të shurdhër.

“Dua t’i siguroj qytetarët e Kosovës, si kryetar i partisë më të madhe në vend, se Kosova do të ketë një të ardhme të mirë, se vendimet do të merren vetëm për qytetarët dhe për ndryshimin dhe përmirësimin e jetës së tyre”, ka adresuar mesazhin e tij Kadri Veseli.

Gjendja e krijuar me demarkacionin, por edhe në raportet mes partnerëve të koalicionit, është shqyrtuar në një takim të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Arban Abrashi tha se çështja e demarkacionit do të paraqitet në qeveri dhe kuvend pas të mërkurës, më 10 maj, kur do të votohet për mocionin e opozitës.

“Besojmë që mocioni nuk kalon dhe është me rëndësi që më pas të ratifikohet demarkacioni dhe të bëhet liberalizimi i vizave, në mënyrë që qytetarët të lëvizin lirshëm brenda 90 ditëve”, ka thënë Abrashi.

Shtyrja e procedimit të demarkacionit, nga subjekti më i madh opozitar, Lëvizja Vetëvendosje është cilësuar si dëshmi se qeveria nuk e ka mbështetjen në Kuvend për ratifikimin e marrëveshjes. Sipas Vetëvendosjes, marrëveshja është e dëmshme dhe do të kundërshtohet fuqishëm nga opozita.

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, tha se marrëveshja aktuale e cenon tërësinë territoriale të Kosovës dhe se ajo, sipas tij, është marrëveshje e vdekur.

“Kjo qeveri e Republikës së Kosovës tash e dy vite, me kokëfortësinë e vet, asnjëherë nuk ndërmori asnjë hap për ta sanuar marrëveshjen për demarkacion. Është dashur që ta ri-negociojmë atë më Malin e Zi, që ta krijojmë një proces hetimor të Kuvendit të Kosovës në mënyrë që të tregohet qartë e vërteta për marrëveshjen për demarkacion se si erdhi ajo dhe pse u tentua t’i falet ajo pjesë e tokës së Kosovës, Malit të Zi dhe në këtë mënyrë ta bëjmë një shënjim të duhur dhe të drejtët ë kufirit me Malin e Zi”, ka thënë Ymeri.

Ndërkaq, Sllavko Simiq, nga Lista Serbe, e cila aktualisht ka 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se deputetët serbë nuk kanë qenë të përfshirë në çështjen e demarkacionit.

“Tash për tash është evidente që nuk ka konsensus politik tek partitë shqiptare të cilat përfaqësohen në Kuvend për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit për të cilën nevojiten 80 vota të deputetëve”, ka thënë Simiq.

Sipas tij, edhe nëse përjashtohet numri prej 20 deputetëve nga radhët e pakicave, në Kuvendin e Kosovës janë 100 vende për deputetët shqiptarë të cilë do ta vlerësonin nëse është në interes për qytetarët dhe do ta ratifikonin demarkacionin.

Një tentativë paraprake për ratifikimin e kësaj marrëveshje ishte shënuar edhe më 1 shtator të vitit të kaluar. Por, atë ditë, koalicioni nuk i kishte 80 votat e nevojshme për ratifikim, ndërkohë që edhe gjendja e sigurisë qe përkeqësuar, çka e kishte detyruar kryeministrin Isa Mustafa ta tërhiqte ratifikimin e marrëveshjes nga Kuvendi.

Prishtina dhe Podgorica nënshkruan Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit në gusht të vitit 2015, në praninë ndërkombëtare. Kjo marrëveshje më pas u shndërrua në një kusht nga BE-ja për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Ndërsa qeveria po përgatitet të procedojë për herë të dytë demarkacionin në Kuvend, opozita ka deponuar të premten një mocion me nënshkrimet e 42 deputetëve, 30 nga partitë opozitare dhe 12 nga partitë tjera, përfshirë edhe ato në pushtet për rrëzimin e qeverisë aktuale.

Mocioni për rrëzimin e qeverisë është caktuar të votohet më 10 maj.

Për më shumë lexoni këtë:

Mocioni apo demarkacioni - testi i mbijetesës së Qeverisë

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG