Konkursi, nëpërmjet së cilit do të punësoheshin 220 mjekë specialistë, për të cilët Qeveria e Kosovës ka ndarë buxhet, është anuluar, me një vendim të Inspektoratit të punës, thonë në Ministrinë e Shëndetësisë.
Autoritetet e shëndetësisë thonë se konkursi është anuluar për shkak të, siç vlerësohet, ankesave të bëra ndaj tij.
Megjithëse e ka konfirmuar këtë gjë, Basri Ibrahimi, kryeinspektor, nuk i ka bërë publike palët e pakënaqura dhe arsyet e anulimit të konkursit.
“Nuk deklarohem për këtë punë, pasi është në procedurë dhe pa u përfunduar procedura, nuk mund të them asgjë. Konkursi ka afat kohor dy muaj për përgjigje”, ka thënë Ibrahimi.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë në një komunikatë të saj thotë se situata rreth specialistëve të papunë, po përdoret edhe për adresime të tjera që nuk janë në interes të vetë mjekëve specialistë. Ministria thotë se “do të bëjë çfarë është në përgjegjësinë e saj, që specialistët e papunë të sistemohen në afat sa më të shpejtë në punë të përhershme”.
Rreth 260 mjekë specialistë, të profileve të ndryshme, llogaritet se deri në anulimin e konkursit kanë punuar me kontrata të përkohshme.
Qeveria e Kosovës i ndau një buxhet Ministrisë së Shëndetësisë për punësimin e 220 mjekëve me kontrata të rregullta, por ai nuk mjaftoi, ngaqë llogaritet se mbesin edhe 40 mjekë specialistë, të profileve të ndryshme, pa punë dhe jashtë sistemit shëndetësor publik.
Mjekët specialistë, ndërkaq, kanë protestuar disa herë përpara Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar zgjidhjen e statusit të tyre.
Amir Veseli, është një nga mjekët specialistë në lëmin e ortopedisë, i cili deri tani ka punuar me kontratë të përkohshme pune. Ai për Radion Evropa e Lirë ka shpjeguar se arsyeja e anulimit të konkursit, ishin shkeljet e ndryshme.
“Ne jemi në pritje të vendimit të ri që do ta marrë Ministria e Shëndetësisë me Qeverinë e Kosovës dhe Inspektoratin e punës dhe shpresojmë që nuk do të zgjatet, pasi jemi në pritje të vendeve të punës”, ka thënë Veseli.
Sistemi shëndetësor në Kosovë është përballur me një mori problemesh që prej pas luftës, ndërkohë që në vitet e fundit, për shkak të kushteve të punës,më shumë se 400 mjekë ka ikur në vendet e Bashkimit Evropian.
Ekspertët e fushës thonë se Kosova, për t’i përmbushur standardet evropiane, duhet që t’i punësojë në institucionet publike shëndetësore edhe dy mijë mjekë dhe pesë mijë infermierë, aq sa edhe nevojiten për kokë banori.(REL)
Facebook Forum