Kosova radhitet në mesin e vendeve me shkallën më të lartë në Evropë, të përdorimit të disa llojeve të antibiotikëve dhe njëkohësisht me numrin pothuajse më të madh në Evropë me shkallën e konsumit të antibiotikëve të përgjithshëm.
Sipas një hulumtimi të bërë në spitalet e vendeve të Bashkimit Evropian ka rezultuar se në klinikat e pediatrisë, ku trajtohen fëmijët e moshës nën 18 vjeç, antibiotikë marrin 36 për qind e fëmijëve, derisa në Kosovë, sipas zyrtarëve shëndetësorë kjo përqindje arrin në 67 për qind.
Mikrobiologu Lul Raka, njëherësh koordinator i bashkëpunimit me Qendrën Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, i tha Radios Evropa e Lirë se Kosova zë vendin e parë në Evropë, kur bëhet fjalë për përdorimin e antibiotikëve injeksion të cef-reaksionit (grup antibiotikësh).
Sipas tij, rezultatet e hulumtimeve të bëra në Kosovë kanë dhënë shifra alarmante për keqpërdorim të antibiotikëve.
“Kemi mbledhur të dhënat për mbikëqyrjen e antibiotikëve, për importin, përdorimin nëpër spitalet e Kosovës dhe përdorimin në kujdesin parësor. Rezultatet kanë dhënë shifra alarmante për keqpërdorim”, tha Raka.
Sipas tij, deri në vitin 2050, nëse vazhdohet trendi i përdorimit të antibiotikëve, më shumë njerëz do të vdesin nga infeksionet dhe mikrobet rezistente sesa nga sëmundja e kancerit.
“Në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara është diskutuar për herë të katërt për rezistencën ndaj antibiotikëve. Kjo është një fushë e rëndësishme ku shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara, dhe ne edhe pse nuk jemi anëtare, kemi marrë obligimet për të adresuar këtë problematike. Kosova është njëra prej vendeve të para të rajonit që i ka kryer disa detyra, siç është strategjia dhe plani i veprimit dhe jemi në fazën e dytë të përgatitjes për strategjinë dhe planin e veprimit për rezistencën ndaj antibiotikëve’’ , thotë Raka.
Në Kosovë, pavarësisht ligjit që ndalon shitjen pa recetën e mjekut, antibiotikët shiten në pothuajse secilën barnatore pa asnjë udhëzim mjekësor.
Numri i vogël i inspektorëve farmaceutik, që arrin në vetëm 5 prej tyre me kontrata të rregullta pune, vlerësohet nga ekspertët shëndetësorë, se ka bërë që të mos ketë kontroll të duhur mbi sasinë e shitjes së antibiotikëve pa recetë.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku i tha Radios Evropa e Lirë se është krijuar një komision që e ndalon shitjen e barnave pa recetë në farmaci dhe kjo veçanërisht vlenë për antibiotikët, përdorimi i padrejtë i të cilëve mund të krijojë probleme shëndetësore.
“Ministria e Shëndetësisë po përgatit grupin e punës dhe planin e veprimit 2017 -2022, për ndalimin e panevojshëm të antibiotikëve, si dhe po lobon për fuqizimin e inspektoratit farmaceutik, që do të ndihmonte në këtë çështje”, tha Sadiku.
Por në barnatoret e Kosovës farmacistët thonë se qytetarët janë vetëdijesuar dhe nuk e aplikojnë vetëmjekimin. Labinot Berisha, nga njëra barnatore e kryeqytetit jep hollësi të tjera.
“Ka filluar të zvogëlohet si fenomen. Pacientët marrin antibiograme, bëjnë analiza dhe mund të them se shumë më pak është e shprehur si fenomen, ndonëse nuk e mohoj se ndodhë”, tha ai.
Sido që të jetë, futja në fuqi e Ligjit për sigurime shëndetësore dhe rimbursimit të barnave, do ta bëjë të obligueshëm respektimin e shitjes së barnave me recetë, meqë pacientit nuk mund t’i rimbursohen barnat pa e pasur sistemin e referimit komplet dhe recetën e barnave. (REL)