Ndërlidhjet

Zaev: Shumica parlamentare do të zgjedh kryetarin


Lideri i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë Zoran Zaev, në një konferencë për shtyp të enjten, ka theksuar se VMRO DPMNE dhe kryetari i kësaj partie Nikolla Gruevski refuzon të dorëzojë pushtetin sepse ka frikë nga përballja me drejtësinë.

“Tanimë askush nuk ka dyshime se udhëheqësit e VMRO-së nuk dëshirojnë ta dorëzojnë pushtetin për shkak se dëshirojnë të shmangen nga përgjegjësia. Por, drejtësia do të bëjë të sajën, ligji do të jetë një lloj për të gjithë. Drejtësia dhe shteti i së drejtës do të funksionojnë në vend. Është gënjeshtër se do të ndryshohet Kushtetua e Republikës së Maqedonisë, është gënjeshtër se do të ketë federalizim, është gënjeshtër gjithashtu edhe ajo se do të ndryshohet flamuri, himni dhe stema e Maqedonisë, është gënjeshtër se Maqedonia do të bëhet një shtet binacional”, ka thënë Zaev.

Ai është i gatshëm të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare i bindur se do të rris numrin e mandatave, por siç ka theksuar zgjedhjet nuk do t'i sjellin asgjë të mirë Maqedonisë pos humbjes së kohës.

Lideri i Social Demokratëve, paraprakisht në foltoren e parlamentit të Maqedonisë është shprehur i prerë se kryetari i parlamentit të Maqedonisë do të zgjidhet së shpejti madje nëse është nevoja kjo gjë do të mund të ndodh edhe jashtë këtij institucioni ligjvënës.

“Këtu ekziston një shumicë e re e deklaruar. Kjo shumicë ka të drejtë dhe obligim të zgjedh kryetarin e ri të Kuvendit. Kryetari i Kuvendit do të zgjidhet këtu në këtë sallë, në shkallë apo në amfiteatrin e Fakultetit Juridik ose në ndonjë sallë tjetër në Akademinë e Shkencave të Maqedonisë. Në një mënyrë apo tjetër ai do të zgjidhet” tha Zaev.

Menjëherë pas kësaj, Ilija Dimoski deputet i VMRO DPMNE-së, e cila drejtohet nga ish kryeministri Nikolla Gruevski ka theksuar se zgjedhja e kryetarit të parlamentit do të paraqes grusht shtet.

“Ju lutem shumë sinqerisht mos u mundoheni të bëni grusht shtet, ju lus sinqerisht si njeri, nuk mendoj se zgjedhja e kryetarit jashtë këtij objekti, jashtë sallës, do të jetë e mirë. Në atë rast as Kuvendi dhe as ajo Qeveri nuk do të jetë e hajrit. Unë ju kuptoj se jeni nën presion të njerëzve që presin poste, por ju do të mbani përgjegjësi. Nëse deputetët nuk flasin, do të vijë koha që qytetarët të flasin. Ky do të jetë dëmi më i madh që do t'i bëhet Republikës së Maqedonisë”, ka theksuar Dimoski në foltoren e Parlamentit të Maqedonisë.

Ndërkaq, ekspertët e sigurisë nuk e përjashtojnë mundësinë që gjatë ditëve në vijim të inskenohen incidente për të penguar transferimin e qetë të pushtetit.

Bllagoja Markoski, ekspert për çështje sigurie, për Radion Evropa e Lirë vlerëson se gjendja e sigurisë është e ndjeshme për shkak të tensioneve të krijuara nga bllokimi i zgjedhjes së kryetarit të parlamentit që i hap rrugë zgjedhjes së qeverisë së re të Maqedonisë.

“Mund të shkohet drejt skenarëve të inskenimit të incidenteve, siç mund të jetë inskenimi i formacioneve paraushtarake dhe nga ky aspekt të krijohet një gjendje krize në Republikën e Maqedonisë megjithëse edhe në këtë rast shkilen ligjet nëse shpallet gjendje lufte, sepse në atë rast maksimumi mund të shpallet gjendje krize në atë pjesë të territorit të Maqedonisë për një periudhë të caktuar”, thekson Bllagoja Markoski.

Ai njëherësh ka theksuar se Maqedonia në asnjë mënyrë nuk është e kërcënuar nga ndonjë sulm i jashtëm, andaj nëse presidenti i shtetit shpall gjendje lufte, atëherë ai do të të shkel të gjitha ligjet e vendit për të bllokuar procesin e zgjedhjes së qeverisë së re të Maqedonisë. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG