Ndërlidhjet

Sistemi shëndetësor në grevë 24 orëshe


Protesta e mjekëve në Prishtinë, 29 mars 2017
Protesta e mjekëve në Prishtinë, 29 mars 2017

Punëtorët shëndetësorë në sektorin publik, ditën e enjte, më 27 prill, kanë paralajmëruar grevë në kohëzgjatje prej 24 orëve.

Javë më parë, punëtorët shëndetësorë patën mbajtur një protestë një orëshe, në të cilën i kanë shpalosur kërkesat e tyre, ku përmendej edhe rritja e pagave dhe krijimi i kushteve të punës.

Protesta, ishte shtrirë në gjithë Kosovën me paralajmërimin se në rast të mospërmbushjes së kërkesave, do të futeshin në një grevë të përgjithshme.

Kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla thotë se arsyeja kryesore e grevës ka të bëj me mospërmbushjen e kërkesave të punonjësve të sektorit të shëndetësisë.

Pas protestës së paralajmëruar dhe kërkesave të vazhdueshme që kemi bërë në Qeveri, kërkesat e njohura si Ligji i pagave dhe ngritja e pagave, ne kemi vendosur të hyjmë në grevë 24 orëshe në të gjitha institucionet shëndetësore publike”.

Ne kemi bërë apel te Qeveria që t’i plotësojnë kërkesat tona, por ata nuk po na dëgjojnë. I kisha lutur qytetarët të na mirëkuptojnë”, ka thënë Syla.

Në anën tjetër, Ministria e Shëndetësisë ka dërguar një komunikatë përmes së cilës e ka cilësuar si të panevojshme mbajtjen e grevës.

Ministria e Shëndetësisë konsideron se nuk ka nevojë për grevë, meqë shumica e çështjeve të ngritura nga kjo sindikatë janë diskutuar, sqaruar dhe zgjidhur në takimin e përbashkët të mbajtur në mars në Ministrinë e Shëndetësisë.

Siç dihet tashmë, Projektligji për pagat është tërhequr nga procedura e dërgimit në Kuvend nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe deri në një procedim tjetër, palët e interesuara do të kenë mundësi të shprehin pikëpamjet e tyre dhe të avokojnë për zgjidhjet më të përshtatshme për të gjitha kategoritë, përfshirë këtu edhe punonjësit shëndetësor”, thuhet në komunikatë.

Sa i përket kërkesës për ngritjen e pagës për profesionistët shëndetësor, kjo çështje është në përgjegjësi të Qeverisë së vendit që të vendos dhe ajo e ka bërë të ditur se në muajt në vijim do të bisedojë me partnerët social për mundësinë e ngritjes së pagave në të gjithë sektorët, në varësi nga ngritja ekonomike në vend’’, theksohet në komunikatën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Por, Blerim Syla ka thënë se ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani është treguar shumë joserioz në kërkesat e sindikatës dhe, siç thotë ai, ndonëse është tërhequr Ligji i pagave nga ana e Qeverisë së Kosovës, nuk është paralajmëruar ndonjë ndryshim pozitiv për punëtorët shëndetësorë.

Kjo është një gënjeshtër e radhës e Qeverisë së Kosovës. Ligji i pagave është tërhequr, por në takimet tona me zyrtarët e lartë qeveritarë, koeficienti i pagës do të vazhdohet me pagën minimale, derisa ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi na ka thënë se nuk do të mund të ngritet më shumë se 170 euro paga”.

Nëse e përpjesëton koeficientin 2.7 të mjekut specialist, me 180 euro siç po proklamohet , atëherë dihet se çka do të ndodhë”, ka thënë Syla.

Ndërkohë, mjekët thonë se greva është shprehje e pakënaqësisë së tyre, duke kërkuar që të respektohet roli dhe dinjiteti i mjekut.

Megjithatë, greva, sipas mjekëve, nuk do t’i lë pa përkujdesje pacientët.

Drejtori i Klinikës Emergjente, Basri Lenjani thotë për Radion Evropa e Lirë se shërbimet mjekësore emergjente do të ofrohen për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, përkundër grevës që do të mbahet, duke e përkrahur sindikatën e shëndetësisë.

Ne nuk duhet menduar për grevë, pasi sistemi duhet rregullohet me akte që janë në fuqi e që nuk po praktikohen. Klinika Emergjente ofron ndihmë emergjente shëndetësore 7 ditë në javë 24 orë në ditë”, ka thënë Lenjani.

Ligji për shërbime emergjente, ka vijuar ai, nuk garanton për stafin mjekësor të hyjnë në grevë, pasi që ligji u garanton shërbim emergjent gjithë qytetarëve të Kosovës.

Roli i mjekut dhe infermierit është kyç pasi e kanë barrën kryesore për ta ruajtur shëndetin. Megjithatë, Klinika Emergjente do të mbulojë shërbimet dhe ne apelojmë qytetarët që problemet akute shëndetësore të lajmërohen tek mjeku. Mendoj se qeveritarët duhet mendojnë për dinjitetin e mjekut dhe infermierit”, ka theksuar Lenjani .

Sidoqoftë, mjekët specialistë kohë më parë kishin kërkuar që pagat e tyre të ngriten në një nivel me ato të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Paga e një deputeti në Kosovë sillet rreth 1500 euro, derisa mjeku specialist paguhet rreth 600 euro në muaj.

Ndërkaq në Ligjin për pagat, që është paraparë të kalojë në Kuvend, ishte paraparë që mjekët specialist të radhiten në koeficientin 2.7 në një shkallë prej 1 deri në 11. Por me kundërshtimin e mjekëve ligji u tërhoq, për t’u rishikuar. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG