Ndërlidhjet

Kriza politike bllokon subvencionet për bujqit


Fotografi nga arkivi
Fotografi nga arkivi

Bujqit në Maqedoni ankohen se nuk kanë marrë subvencionet për vitin 2016 madje edhe për një pjesë të vitit 2015, mjete këto që u garantohen me ligj. Për këtë arsye një pjesë e madhe e sipërfaqeve, thonë ata, këtë vit do t’i lënë pa i mbjellë fare.

Edhe blegtorët thonë se janë të detyruar të zvogëlojnë numrin e bagëtisë sepse mungesa e mjeteve financiare u shkakton probleme sa i përket sigurimit të ushqimit për kafshët.

Ministria e Bujqësisë së Maqedonisë thotë, ndërkaq, se vakuumi juridik i mosformimit të Qeverisë, ka hapur shumë telashe sa i përket pagesës së subvencioneve.

Ministri i Bujqësisë në Maqedoni, Mihaill Cvetkov tha të hënën se janë duke u bërë përpjekje për të tejkaluar pengesat juridike që kanë të bëjnë me bllokimin e pagesave të subvencioneve.

Cvetkov tha se në buxhetin e shtetit ka para për pagesë të subvencioneve, por tani për tani procesin e ka bllokuar Kodi Zgjedhor dhe Ligji për bujqësi dhe për zhvillim rural.

Jemi të angazhuar me të gjitha kapacitet tona që të tejkalojmë këtë problem juridik. Ne si dikaster jemi duke përgatitur dhe një ligj të ri i cili pritet të eliminojë të gjitha pengesat juridike për ndarjen në kohë të mjeteve financiare për sektorin e bujqësisë”, tha ministri Cvetkoski pa definuar se kur do të mund të marrin paratë bujqit në Maqedoni.

Kryetari i fermerëve shqiptarë nga Maqedonia Veriperëndimore, Furkan Rizvançe, për Radion Evropa e Lirë thotë se mungesa e ndarjes së subvencioneve në kohën kur më së shumti u nevojiten për investime të reja, bën që ata të futen në borxhe të reja.

Tani ne i ndjejmë efektet negative nga vonesa disa mujore e pagesës së subvencioneve, sepse ne si blegtorë nuk mund ta sigurojmë me kohë ushqimin e kafshëve. Ka shumë fermerë të cilët janë futur në borxhe dhe u bie që të detyrohen të shesin dhentë apo gjedhët duke pakësuar bagëtinë", thotë Rizvançe.

Ndërkaq Mitko Andreevski, kopshtar nga rrethi i Shkupit, thotë se mungesa e subvencioneve e ka detyruar të zvogëlojë hapësirat e mbjella me domate, përderisa njërën nga tre serat që i ka ngritur e ka lënë të zbrazët.

Para nesh është sezoni i të mbjellave dhe shumë punë që i presin bujqit në pranverë dhe gjatë stinës së verës. Përderisa nuk arrijmë t’i marrim dhe ato pak para që na garantohen me ligj përmes subvencioneve, ne nuk mund të mbulojmë as harxhimet për të prodhuar e jo më të planifikojmë çfarëdo fitimi sado i vogël të jetë. Mendoj seriozisht që t’i lë të gjitha arrat shterpë sesa të hyj në borxhe”, thotë Andevski.

Ekspertët e ekonomisë thonë se kriza politike po i shkakton një goditje të fuqishme sektorit më të rëndësishëm në Maqedoni, bujqësisë në përgjithësi.

Fakt është se kriza politike në Maqedoni, e cila tanimë po zgjatë më shumë se dy vjet, bllokon rrjedhën normale të zhvillimit në të gjitha lëmitë e ekonomisë, por më e dukshme është në sektorin e bujqësisë e cila edhe ashtu funksionon me shumë probleme. Në këtë mënyrë vihet në rrezik një pjesë e madhe e prodhimeve bujqësore, të cilat jemi të detyruar t’i importojmë nga jashtë vendit”, thotë Marija Zarezankova-Poteska eksperte e ekonomisë.

Kjo ka detyruar që bujqit të paralajmërojnë mbajtjen e protestave të martën duke bllokuar një pjesë të rrugëve në gjithë Maqedoninë.

Ndryshe, nga dikasteri i bujqësisë sot kanë bërë të ditur se shteti ka borxh rreth 90 milionë euro në emër të subvencioneve për tre vitet e fundit. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG