Gratë në Kosovë hasin në shumë vështirësi për gjetjen e një vendi pune. Madje, edhe kur e sigurojnë, konkretisht në sektorin privat, shkelen të drejtat e tyre. Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, thuhet se vetëm 12.9 për qind e grave punojnë, kurse meshkuj janë të punësuar 45.6 për qind.
Pavarësisht shifrave të ulëta, përfaqësues të sindikatës së punëtorëve, thonë se rreth 80 për qind prej tyre, që punojnë në sektorin privat, nuk kanë kontrata të punës, kurse në sektorin publik 12 për qind nuk e gëzojnë këtë dokument që siguron qëndrueshmëri në punë.
Blerta Azemi punon në një furrë buke në qytetin e Fushë e Kosovës. Ajo nuk ka kontratë dhe as që e ka kërkuar një dokument të tillë, pasi, siç thotë ajo, as punonjësit tjerë nuk kanë kontratë.
“Unë i kam dy fëmijë, në kompani me orare të zgjatura nuk mund të punoj. Tash kam filluar punën në një dyqan të vogël, me orar të shkurtuar. Kontratë nuk kam dhe as që kam kërkuar, sepse kontratë nuk kanë as punëtorët tjerë”, tregon Blerta.
Mungesa e kontratës nënkupton shkelje të të drejtave të punëtorëve, duke filluar nga mospagesa e rregullt, orari i zgjatur, punë gjatë vikendit, mosshfrytëzim të pushimit vjetor dhe mjekësor, thonë përfaqësues të sindikatës së punëtorëve.
Kryetarja e Rrjetit të Grave në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Shukrije Rexhepi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se të dy gjinitë në këtë sektor kanë gjasa për t’u përballur me punë të paqëndrueshme dhe të pambrojtur, mirëpo gratë janë në përqindje më të lartë.
“Sipas Ligjit të punës, (i punësuari) duhet të punojnë 40 orë në javë, gjegjësisht 8 orë në ditë. Por, ato punojnë 10 -12 orë, punojnë edhe gjatë vikendeve, ditën e shtunë gjithsesi, por ka raste edhe ditën e diel. Shumë femra, vijnë ankohen në BSPK, por gjithmonë në kushte anonimiteti, për shkak të frikës nga humbja e vendit të punës”, thotë Rexhepi.
Sektori privat mbetet punëdhënësi më i madh në Kosovë, ky sektor jo në të gjitha rastet zbaton ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës dhe zakonisht është kritikuar nga sindikatat e punëtorëve dhe organizatat joqeveritare.
Edhe Instituti “Riinvest” në raportin e fundit të quajtur “Punësimi i pasigurt”, thotë se 81 për qind e grave në këtë sektor punojnë pa kontrata të punës, rreth 31 për qind e tyre që punojnë në këtë sektor kanë punuar për 10 ose më shumë orë të vazhdueshme në ditë, 46 për qind kanë punuar gjatë festave zyrtare dhe 66 për qind e grave në këtë sektor kanë punuar gjatë fundjavës.
Nga këto gra, të cilat kanë punuar përtej orëve zyrtare të punës, rreth 60 për qind thuhet se nuk kanë marrë asnjë lloj kompensimi.
Në anën tjetër, Basri Ibrahimi, kryeinspektor i Inspektoratit të Punës që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në këtë sektor janë vërejtur parregullsi të tilla, por jo në baza gjinore.
“Punëtorët pa kontrata nuk i kemi ndarë në bazë të gjinisë. Në punën tonë nuk është vërejtur se gratë janë më pak të pajisura me kontrata”, thotë Ibrahimi.
Edhe shkalla e papunësisë paraqitet më e lartë te gratë. Sipas të dhënave zyrtare, shkalla e papunësisë te gratë është rreth 37 për qind, ndërsa te burrat rreth 32 për qind. (REL)
Facebook Forum