Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA), një vit nga hyrja në fuqi ka dhënë edhe efektet e saj të para.
Disa nga kompanitë, të cilat eksportojnë në vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian, thonë të kenë pasur efekte pozitive, megjithatë të hyrat doganore janë ato që kanë pësuar ulje.
Brenda një viti të zbatimit të MSA-së, të hyrat doganore në Kosovës kanë shënuar ulje prej më shumë se 21 milionë euro, derisa në vitin e dytë të zbatimit të MSA-së këto të hyra parashihet të ulen deri në 30 milionë euro.
Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se MSA-ja ka ndikuar në dy taksa, në taksën doganore dhe në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.
“Përafërsisht, të hyrat doganore në vitin e parë të zbatimit të MSA-së, kanë shënuar ulje për 21 milionë euro, presim që në vitin 2017 ky ndikim i MSA-së të rritet pasi që është një vit i plotë i aplikimit të kësaj marrëveshjeje, po ashtu edhe disa nga produktet që vitin e kaluar janë zhdoganuar me normën prej 9 për qind tani kalojnë në tetë dhe gjashtë për qind të vlerës, kështu që presim që kjo shifër e uljes së të hyrave doganore të arrijë në 30 milionë euro”, thekson Stavileci.
Qasja e lirë në tregun e BE-së ka hapur mundësi të reja për bizneset e Kosovës, për investime dhe për import dhe eksport. Të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 2016, eksportet drejt BE-së janë rritur me mbi 20 për qind, ndërsa importet me 8 për qind.
Stavileci shton se gjatë kësaj kohë të zbatimit të MSA-së, është vërejtur një rritje e eksporti të produkteve “Made in Kosova”për në vendet e Bashkimit Evropian.
“Zbatimi i MSA-së iu ka ofruar prodhuesve të Kosovës që të eksportojnë më lirë dhe pa ndonjë pagesë të taksave. Shihet se ka pasur një rritje të eksporteve, por që rritja nuk ka qenë aq e madhe, por presim të ketë nivel më të lartë të eksporteve në periudhat vijuese”, thekson Stavileci.
MSA-ja thuhet se ua hapi dyert bizneseve të Kosovës për pjesëmarrje në tregun prej 500 milionë banorësh.
Shaqir Palushi, pronar i kompanisë “Frutex” nga Suhareka, e cila merret me prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjike, thotë për Radion Evropa e Lirë se kanë arritur që të depërtojnë më lehtë në disa vende të BE-së pas zbatimit të MSA-së.
“Në radhë të parë ka filluar ulja graduale e taksës doganore; nga 10 për qind ka rënë në 8 për qind, në disa produkte 6 për qind e në disa produkte është bërë zero dhe është hapur një perspektivë më e madhe për plasim të këtyre produkteve në vendet e rajonit dhe më gjerë”, thekson ai.
Me zbatimin e MSA-së, Komisioni Evropian, nëpërmjet fondeve të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA), ka paraparë që deri në vitin 2020 do t’i investojë në Kosovë mbi 600 milionë euro.
Nga kjo, është thënë se do të përfitojnë edhe prodhuesit, për t'i rritur dhe zgjeruar kapacitetet e tyre prodhuese dhe përpunuese. Megjithatë, këto fonde ende nuk kanë arritur te bizneset, thotë Palushi.
“Ajo që do të ishte e mirëseardhur për neve, si prodhues dhe që e kemi pritur janë investimet e BE-së që janë paraparë për rritjen dhe zgjerimin e kapaciteteve tona prodhuese , por që deri më tani ne nuk kemi marrë fonde të tilla dhe jemi në pritje të mundësisë së përfitimit të këtyre fondeve”, thotë Palushi.
Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, është marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.(REL)
Facebook Forum