Ndërlidhjet

Me gjithë rritjen ekonomike, Kosova 80 vjet prapa Evropës


Ilustrim
Ilustrim

Mekanizmat ndërkombëtarë financiarë e kanë vendosur Kosovën në vendin me rritjen më të lartë ekonomike, që arrin në 3.9 për qind, por ajo, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, nuk mund të zbusë problemet e papunësisë dhe varfërisë.

Banka Botërore në raportin e saj të fundit ka vënë në pah se Kosova ka shënuar rritje ekonomike prej 3.6 për qind në vitin 2016, kurse gjatë këtij viti rritja ekonomike pritet të arrijë në 3.9 për qind.

Derisa, Fondi Monetar Ndërkombëtar për Kosovën ka paraparë rritje ekonomike në 3.5 për qind.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se rritja ekonomike e paralajmëruar për Kosovën, bazohet në rritje të konsumit dhe rritje të investimeve publike, por që këta dy indikatorë nuk janë aq substancial që të ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve.

Kosova ka nevojë për rritje ekonomike vjetore 7–8 për qind dhe këtë në kontinuitet më të gjatë. Nëse këtë vit kemi 4 për qind rritje ekonomike dhe vitin tjetër rënie apo kemi nivelin e njëjtë, atëherë duhet në dinamikën kohore të presim shumë kohë. Nëse Kosova arrin të ketë rritje ekonomike 7 për qind dhe Evropa të mbetet vetëm në 1 për qind rritje ekonomike, atëherë ne do të jemi të barabartë me Evropën vetëm në vitin 2100”, thekson ai.

Gërxhaliu thekson se në tre vjetët e fundit edhe përkundër dominimit të agjendës politike në Kosovë janë bërë disa hapa pozitiv sa i përket disa ecurive ekonomike, megjithatë, sipas tij, pika më e dobët edhe më tutje vazhdon të mbetet sundimi i rendit dhe ligjit.

Çka duhet të bëhet? Duhet të kemi disa indikatorë shtesë që do ta forcojnë rritjen ekonomike dhe nga kjo rritje ekonomike të ketë ndikim pozitiv tek qytetarët. E para, janë investimet e huaja direkte, e dyta krijimi i vendeve të reja të punës, e treta është përmirësimi i bilancit të pagesave dhe indikatorë tjetër”, thekson Gërxhaliu.

Gjatë shtatë vjetëve të fundit, Kosova nuk ka shënuar rritje ekonomike më shumë se 3.9 për qind.

Kjo rritje ekonomike, ndonëse po vlerësohet të jetë e lartë nga mekanizmat ndërkombëtarë, edhe sipas ekspertit të çështjeve ekonomike Ismajl Kastrati është e pamjaftueshme për të zbutur problemet ekonomike dhe sociale që ka vendi.

Rritja aktuale ekonomike prej 3.6 për qind nuk e zbutë as varfërinë dhe as nuk e zvogëlonpapunësinë, prandaj edhe problemet nuk janë të zgjidhshme, megjithatë është një rritje është një dinamik. Kjo rritje mbështetet në rritjen e konsumit dhe rritjen e huazimeve ndërkombëtare, që nuk është rritje e mirëfilltë në kuptimin e një ekonomie të qëndrueshme”, thekson Kastrati.

Derisa, kjo rritje ekonomike që më së shumti bazohet në konsum nuk është e qëndrueshme, shton Kastrati, Kosova duhet të orientojë rritjen ekonomike në indikatorë të tjerë, siç është prodhimtaria.

Rritja ekonomike e cila e zvogëlon papunësinë dhe e zbut varfërinë në Kosovë do të duhej të ishte deri në 7 për qind. Për të arritur këtë rritje duhet të krijohet një gjyqësi e besueshme, një siguri për investitorët e jashtëm, të eleminohet korrupsioni, të ketë avancim të legjislacionit dhe në politikën fiskale në favor të investitorëve të rinj”, shton Kastrati.

Kosova brenda vitesh, thuhet nga ekspertë të fushës, nuk ka arritur që të krijojë një ekonomi më të zhvilluar, duke u radhitur kështu në mesin e vendeve më të varfra në rajonin e Ballkanit me nivel të lartë të papunësisë, që arrin në mbi 27 për qind, dhe me një numër të madh të qytetarëve të saj që jetojnë në varfëri të skajshme. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG