Ndërlidhjet

SHBA-të, shpresa për zgjidhjen e krizës në Maqedoni


Protestat në Shkup, kundër përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.
Protestat në Shkup, kundër përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.

Reagimi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, mbi krizën institucionale në Maqedoni dhe kërkesa për formimin pa vonesa të Qeverisë së re, shihet në Shkup si një shpresë për zhbllokimin e krizës së rëndë në vend.

Njohësit e çështjeve ndërkombëtare, thonë se pozicionet e partive janë aq të betonuara, sa që vështirë mund të ketë lëvizje nga vijat e tyre të kuqe pa një ndërhyrje të fuqishme nga SHBA-të dhe Bashkimi Evropian.

Denko Maleski, ish-ministër i Punëve të Jashtme, thotë për Radion Evropa e Lirë, se deklarata e të mërkurës nga Uashingtoni ka qenë më e drejtpërdrejta në muajt e fundit, andaj edhe beson se mund të ndikojë në lëvizjen e krizës nga pika zero.

Reagime të këtilla me një zë në skenën ndërkombëtare ka kohë që nuk kam dëgjuar. Ata si asnjëherë më parë kanë dalë me një qëndrim identik si Shtetet e Bashkuara të Amerikës tani ashtu edhe shtetet e BE-së më parë, se Maqedonia duhet të përmbushë detyrimet si shtet demokratik. Besoj se të gjitha këto reagime apo presione, pavarësisht se si interpretohen, në fund do të rezultojnë me sukses. Ne, besojmë në këtë edhe pse nuk mund ta dinë se çfarë mendojnë kokat e politikanëve tanë. Duke parë zhvillimet në katër muajt e fundit, që nga përfundimi i zgjedhjeve, apo edhe të viteve të fundit, nga politikanët tanë gjithçka mund të pritet”, thotë Maleski.

Në reagimin e Departamentit të Shtetit Amerikan thuhet se Maqedonia pas zgjedhjeve të dhjetorit, ka një shumicë të qartë në Kuvend dhe se Qeveria e re duhet të formohet pa vonesa të mëtejshme, që vendi të rifillojë reformat e duhura për t’u anëtarësuar në familjen euro-atlantike.

Politikanët që përpiqen të bllokojnë formimin e Qeverisë, po minojnë shtetin ligjor, procesin demokratik, stabilitetin e vendit dhe të rajonit më gjerë”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Njohësit e çështjeve politike, thonë se megjithatë i takon edhe shumicës së re parlamentare që të angazhohet më me ngulm për formimin e Qeverisë së re.

Profesori i sistemit politik, Nikolla Dujoski thotë madje se partitë e koalicionit të ri duhet të shpërfillin VMRO-në e Nikolla Gruevskit dhe vet të votojnë institucionet e reja, pasi në të kundërtën, rrezikojnë të humbin mbështetjen tek elektorati i lodhur nga kriza politike.

Tani kemi një shumicë parlamentare prej 67 apo 69 deputetë, të cilët duhet ta kryejnë punën e tyre. Çdo ditë e humbur është humbje për Maqedoninë. Deri në formimin e Qeverisë kjo mbështetje për ta mundet të mbetet, por nëse ngërçi nuk zgjidhet qytetarët do të kërkojnë zgjidhje tjera. Nëse LSDM dhe partitë shqiptare nuk arrijnë të kapërcejnë këtë situatë, atëherë si mund t’i besojnë qytetarët se do zgjidhin krizën që sa e vjen e thellohet”, thotë Dujovski duke mirëpritur reagimin e qartë të Uashingtonit, pa mbështetjen e të cilin edhe nuk pret ndonjë përmirësim të gjendjes në vend.

Nga ana tjetër presidenti i vendit, Gjorgje Ivanov, i cili edhe ka bllokuar institucionet për shkak të refuzimit për të mandatuar për kryeministër liderin social-demokrat, Zoran Zaev ka thënë se nuk heq dorë nga një vendim i tillë për shkak të mbështetjes që lideri opozitar i ka dhënë “Platformës së Tiranës”.

Ivanov dhe Gruevski, i cili përmes deputetëve të partisë së tij VMRO DPMNE ka bllokuar zgjedhjen edhe të kryetarit të Kuvendit, thonë se “platforma” rrënon themelet e shtetit unitar maqedonas, pasi me të i hapet rruga ndryshimit të Kushtetutës dhe federalizimit të vendit.

Partitë shqiptare kanë hedhur poshtë këto pretendime ndërsa kanë sqaruar se pikat e deklaratës së përbashkët, janë në fakt pjesë e programeve të tyre partiake për avancimin e gjuhës zyrtare shqipe dhe të drejta tjera të garantuar me Marrëveshjen e Ohrit. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG