Ndërlidhjet

Mjekët specialistë lihen pa kontrata, rrezikojnë të ikin jashtë Kosovës 


Ilustrim
Ilustrim

Ndonëse në sistemin publik shëndetësor në Kosovë në shumë lëmi ka mungesë të profesionistëve, megjithatë, llogaritet se janë rreth 260 mjekë specialistë, të profileve të ndryshme, të cilët punojnë ende me kontrata të përkohshme.

Qeveria e Kosovës i ka ndarë një buxhet Ministrisë së Shëndetësisë për punësimin e 220 mjekëve me kontrata të rregullta, por, ai nuk ka mjaftuar, ngaqë llogaritet se mbesin edhe 40 mjekë specialistë të profileve të ndryshme, pa punë dhe jashtë sistemit shëndetësor publik.

Për këtë çështje kanë reaguar mjekët specialistë duke thënë se duhet t’u bëhet një zgjidhje e qëndrueshme.

Vlora Podvorica, mjeke specialiste është duke punuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës me kontratë të përkohshme.

Ajo i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Ministria e Shëndetësisë u kishte premtuar se nuk do t’i lërë pa punë, por tash, sipas saj, thuhet se shumë nga ta do të mbesin pa kontrata të përhershme.

Përderisa Ministria e Shëndetësisë nuk ka ditur të llogarisë sa specialist ju duhen, ne na mbetet të dalim jashtë Kosovës për të gjetur punë. Edhe pse shteti ka investuar në mjekë, ata nuk i kanë planifikuar mirë. Ne na mbetet të kërkojmë ndonjë shtet që na përkrahë si mjekë specialistë dhe na krijon kushte. Në anën tjetër, tashmë është shpallur konkursi për specializantë, e specialistët nuk po mund ende t’i sistemojnë”, ka thënë Podvorica.

Ndërkaq këshilltari i ministrit të shëndetësisë, Valbon Krasniqi, ka thënë se konkursi për punësimin e mjekëve specialist është shpallur në bazë të pozitave të lejuara në buxhet, për vitin 2017.

Ministria e Shëndetësisë, në bazë të kërkesave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ka shpallur konkurs muajin e kaluar për profilet e caktuara të specialistëve. Këto kërkesa kanë ardhur nga vetë drejtorët e klinikave. Ministria e Shëndetësisë ka shpallur konkursin duke ju përmbajtur në mënyrë strikte kërkesave të QKUK -së dhe nevojave që ata i kanë”, ka sqaruar Krasniqi.

Ka pasur kërkesa për shembull, për profile të caktuara, për numër shumë më të madh sesa është numri i specialistëve që janë duke pritur për punë, por ka pasur specialistë duke pritur për punë, e nuk ka pasur kërkesë fare. Këtu mund ta përmend biokiminë”, ka thënë Krasniqi.

Sipas Valbon Krasniqit, aktualisht është duke u shqyrtuar mundësia e shpalljes të një konkursi, në mënyrë që të përfshihen të gjithë specialistët e punësuar përkohësisht në kontrata të rregullta.

Pas përfundimit, këto ditë do të bëhet një analizë sesa specialistë do të mbesin pa mundësi të aplikimit në profile të tyre, aty ku nuk ka pasur kërkesa nga QKUK-ja, dhe në bazë të analizës sesa pozita do të jenë të lira, do të rishpallet edhe një konkurs”.

Por ajo që mund të them është se kontratat me afat të caktuar përfundojnë dhe Ministria e Shëndetësisë, në bazë të Ligjit për buxhetin ka bërë përgatitjet dhe ka shpallur konkurs”, thotë ai.

Edhe një tjetër specialist Amir Veseli, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, në protestën e mbajtur ditë më parë para Qeverisë së Kosovës, se arsyeja pse ai po proteston është sistematizimi i specialistëve të rinj, e që kanë qenë deri tash të angazhuar me kontratë mbi vepër.

Një grup i specialistëve që janë të punësuar me kontrata të përkohshme, do të mbesin pa kontrata të përhershme dhe jashtë sistemit shëndetësorë. Ne kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që mjekët specialistë të mos mbesin pa punë. Mendojmë se duhet të rishikohet konkursi dhe ndryshohet, nëse nuk janë përfshirë gjithë mjekët specialistë”, ka thënë Veseli.

Sidoqoftë, edhe vetë sindikalistët e shëndetësisë kanë thënë se specialistët e rinj, të profileve të ndryshme, i duhen sistemit shëndetësorë, pasi siç thonë ata, tashmë mosha mesatare e mjekëve aktualë ka arritur nga 52 deri në 55 vjeç.

Xhemajl Selmani, kryetar i Sindikatës së punëtorëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ka thënë se edhe përkundër nevojës për mjekë të rinj, planifikimi nuk ka përfshirë të gjithë mjekët specialist.

Përkundër nevojave të klinikës së ortopedisë, është bërë kërkesa vetëm për 6 mjekë specialistë, por Ministria e Shëndetësisë nuk i ka planifikuar vendet, pavarësisht se ka kërkesa, sipas menaxherit”.

Mendoj se duhet të sistemohen mjekët specialistë. Edhe ashtu mosha mesatare ka kaluar mbi 50 vjet, dhe specialistët e rinj, të gatshëm për punë, po na ikin jashtë vendit. Mendoj se Qeveria duhet ndërmarr hapa urgjent që mjekët e rinj të mos ikin jashtë vendit”, ka thënë Selmani.

Ndryshe, kuadrot mjekësorë të papunë do të ikin jashtë Kosovës, e që një gjë e tillë ka qenë debat i gjerë, ku për tre vjetët e fundit kanë ikur mbi 400 mjekë në vendet e Bashkimit Evropian.

Kosova, për t’i përmbushur standardet evropiane, thonë eskpertë të fushës, duhet që t’i punësojë në institucionet publike shëndetësore edhe dy mijë mjekë e pesë mijë infermierë, aq sa edhe nevojiten për kokë banori. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG